Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj mori pjesë sot në hapjen tradicionale të tregut të gjelave të detit në Baldushk. Rreth 45 mijë shpendë të zonës do t’u ofrohen qytetarëve. Gjatë fjalës së tij ai ftoi banorët e Tiranës, dhe jo vetëm, të blejnë gjelat e detit nga ky treg.
“Nuk ka asnjë dyshim se gjeli i Baldushkut është më i miri, më organiku, më i shëndetshmi. Është i pazëvendësueshëm në tavolinat e Vitit të Ri. Ka shumë njerëz që pyesin: ‘Si mund të ndihmoj’, të cilëve u them: mund të blesh një gjel këtu sepse kështu ndihmon ekonominë lokale.” – u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku informoi se këtë vit ka patur më shumë kujdes mjeksor për çdo kre dhe më shumë subvencione për fermerët. Analizat e bëra kanë treguar se produktet nuk përmbajnë toksina apo antibiotikë. Veliaj ftoi qytetarët, që të kenë më shumë besim tek këto produkte sesa tek produktet që vijnë nga jashtë.
Duke e vënë theksin në rëndësinë që ka për fermerët shitja e tyre, Veliaj u shpreh:“Kur dikush blen një gjel nga Baldushku ose nga fermat e katundet tona, nuk ka blerë vetëm vaktin e Vitit të Ri, ka blerë gjithashtu edhe librat e shkollës së një goce të vogël.. i ka blerë tjegullat një familjeje që do rregullojë shtëpinë, i ka blerë plastmasin një fermeri që do rregullojë serën”
Ndër të tjera, kreu i Bashkisë përmendi se për produktet që ofrojnë gjatë këtyre ditëve, këta fermerë punojnë 51 javë të vitit.