Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar këtë të mërkurë shkollën e ‘Sami Frashërit’, e cila do të hapë dyert në shtator.
Veliaj tha se kjo është një ndër shkollat më të bukura në vend, e cila do të funksionojë edhe si qendër komunitare.
Sakaq shtoi se në këtë shkollë do t’i jepet hapësirë kujdo që dëshiron të organizojë aktivitete.
“Jam shumë i lumtur kur shoh se po marrin drejtim rifiniturat e fundit, po vendosen kangjellat, për të pasur një kufizim të territorit të shkollës, ku mund të bëjmë aktivitete në oborr etj. Kemi vendosur edhe kamerat, ka sistem kondicionimi; kjo shkollë nuk dallon fare nga një hotel me pesë yje, ku çdo gjë është e standardit të fundit. Është pa dyshim shkolla më e bukur në Shqipëri, por me gjasë është edhe më e bukura në rajon. Shpresoj shumë që bukurinë e vërtetë ta sjellin djemtë e vajzat që do vijnë e do popullojnë këto ambiente supermoderne në shtator. Duam që shkolla të funksionojë edhe si qendër komunitare pasdite, ndaj mësimin do ta kalojmë paradite.
Nuk do të ketë më mësim pasdite, por as bosh nuk do ta lëmë sepse mund ta shfrytëzojmë për 21 klubet e ‘Samiut’, për t’i dhënë hapësirë kujtdo të organizojë aktivitete në këto ambiente. Do të kemi një vëmendje të shtuar te administratorët e shkollave, sidomos në këtë shkollë, e cila është si të menaxhosh një hotel kur vjen puna te sistemi i pompave, mirëmbajtja, kamerat e sigurisë, kondicionimi, apo sistemi antizjarr, kaldajat etj. Me këtë shkollë i kemi dhënë Tiranës një xhevahir të paprecedentë në cilësinë e një ndërtese arsimore, por kemi ngritur edhe stekën për shkollat e tjera që vijnë më pas”, u shpreh ai.