Veliaj nga Kombinati: Reja me kancerin nga Sharra nuk endet më mbi Tiranë

Ndalesa elektorale e radhës e drejtuesit të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ishte Kombinati. Gjatë takimit me banorët e kësaj njësie, Veliaj kujtoi se si ishte vetëm pak vite më parë e pamundur të jetoje në Kombinat, për shkak të erës së keqe që kundërmonte nga plehrat që digjeshin në Sharrë.

“Kombinati është një nga vendet ku filozofia jonë, mendësia jonë, se si bëhet shteti, si bëhet qyteti, ka marrë trajtën e vet më të dukshme. Kam qenë në Kombinat shumë herë dhe ai diell që shohim sot nuk dukej para ca vitesh, sepse përpara se të vinte rrezja e diellit, vinte shtëllunga e resë nga Sharra. Ajo shtëllunga e verdhë kancerogjene e gjithë plastikës që digjej, ku fillimisht kontaminoheshin mushkëritë e Kombinatit, dhe përfundonte deri në Dajt. Sot qielli është blu, reja është e bardhë, dielli shkëlqen dhe reja me kancerin nga Sharra, nuk vjen më mbi Tiranë,” tha Veliaj.

Ai foli edhe për çështjen e inceneratorëve.

“Nëse dikush ecën me 200 km/h në autostradë, çfarë duhet të bëjmë ne, të mbyllim autostradat, apo të heqim njeriun e papërgjegjshëm, që të mos ecë me 200 km/h dhe të marrë njerëzit në qafë? Ndaj, nëse në Sharrë, dikush ka bërë gabime, të mbajë përgjegjësinë e vet. Por sot Kombinati është më i pastër. Sot Tirana është më e pastër. Sot ajo reja kancerogjene nuk është aty. Sot pastrimi ndodh me 1/3-ën më pak. Fatura që unë gjeta aty mbi tavolinës, ditën e parë të punës, ishte 37 euro/ton, sot paguhet 29 euro/ton. Ajo që ne kemi mundësuar është me 1/3 e pagesës më pak se në 2011, Tirana është më e pastër, Kombinati është më i pastër dhe sot ajo reja kancerogjene nuk është më mbi kokat tona,” deklaroi ai.

Veliaj tha se edhe në lidhje me trafikun në Tiranë flasin pikërisht ata që bllokuan Astirin 3 vite me radhë.

“Flasin këta për trafikun në Tiranë. Po pse e bllokuan tre vjet Astirin? Nëse ti do të mos ketë trafik në Tiranë, lejoje unazën që të qarkullojë, të mos vijnë të gjithë në qendër për të shkuar në Farkë apo në Kinostudio. Ti duke marrë unazën shkon edhe në Tufinë, shkon edhe në Surrel, shkon edhe në Dajt, shkon edhe në Lundër. Duke marrë Unazën ke një mundësi të mos hysh në trafik. Me gishtat përpjetë tre vjet, mban njeri përgjegjësi? Është shumë kollaj të thuash pse nuk e bëre. Po ti që pengove a ke një përgjegjësi? Është shumë kollaj të thuash pastro, por ti që e bën pis a ke përgjegjësi? Fundjavën që kaloi ua lashë Tiranën katër orë. A e patë Tiranën? Autobusi mbi bar, makinat në zonën pedonale te sheshi Italia, plehrat mullar dhe udhëheqësi që fliste vetëm me 20 mijë karrige bosh: “Ju jeni arena e demokracisë, arena e lirisë”. Kjo që ishte deri dje arena korrupsionit, arena e betonit, u bë krejt papritur arena e lirisë,” ironizoi Veliaj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *