Kryebashkiaku Erion Veliaj ka nisur ditën e sotme turin e takime, ku ka mbajtur një bashkëbisedim me të rinjtë e Njësisë 1.
Veliaj tha se pavarësisht krizës ekonomike apo energjetike, duhet që e gjithë situata të kalohet bashkërisht ku qeveria kontribuon për lehtësim.
Sakaq theksoi se qeveria në vend që të gjejë justifikime për krizën ajo ka ofruar zgjidhje.
“Ne kemi në dorë të ndihmojmë njëri-tjetrin. Nëse ne, edhe kur shpenzojmë për familjet tona, i blejmë produktet shqiptare, sidomos produktet bujqësore, të cilat nuk janë ndikuar nga çmimet e luftës, apo e bëjmë pazarin te dyqani i lagjes, është një mënyrë për të thënë që edhe këtë krizë do e kalojmë bashkë. Kur tërmeti prishi shtëpitë e shumë familjeve, e djathta do të thoshte ky është treg i lirë, jemi në kapitalizëm, shko te kompania e sigurimeve dhe ajo ta ndërton shtëpinë. Por a thuhet kjo në një vend që, vërtet është në kapitalizëm, por kur 97% e shtëpive janë të pasiguruara sepse kështu është tradita? Prandaj, e majta ka një përgjigje tjetër. Thotë, do jetë shteti ai që do të rregullojë shtëpitë. Ky është dallimi mes së majtës dhe së djathtës. E djathta do të thoshte: më vjen keq, është rritur çmimi i energjisë për bizneset, janë rritur çmimet e ushqimeve për shumë produkte, sidomos ato që kanë lidhje dhe prodhohen në Rusi apo Ukrainë, është rritur edhe çmimi i naftës dhe gazit, që nuk varet nga ne. Kurse e majta thotë: Kjo ndërmarrje vërtet funksionon me rregullat e privatit, por aksioner është bashkia. Në vend të justifikimit, gjejmë një zgjidhje. Aty ku bashkia e ka në dorë, zgjidhja që bëmë ishte të subvencionojmë 50-75% të kostos së çdo konvikti. E djathta mendon se gjërat duhet t’i zgjidhë dora e fshehtë e tregut: pra, meqë kemi një rritje të naftës, do rritet edhe çmimi i abonesë së autobusit. Por, e majta thotë: Do të japim Kartën e Studentit dhe abonenë do ta bëjmë falas”