Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj, gjatë takimit me banorët e Njësisë 7 në kryeqytet, tha se është turp të jesh detergjenti për të larë fytyrën që nuk mund të lahet. Sipas Veliajt, mos pasja e diplomës së shkollës së mesme për një nga kandidatët është e rëndë, por më e rëndë është të shërbesh si sapun për Berishën dhe Metën.
“Disa prej tyre nxjerrin edhe gishtin e mesit, kur kërkojnë të votohen nga populli. Turp i madh! Por, Etilda ka të drejtë kur tha se duhet diploma e gjimnazit… prandaj duhet diplomë e maturës, e pjekjes sepse një njeri i pjekur në 2023 nuk nxjerr gishtin e mesit për të kërkuar vota dhe për të lidhur kontratë që t’i shërbejë dikujt. E merrni ju dikë në punë që ju nxjerr gishtin e mesit? Turp! Por, nuk është ky problemi më i madh. Problemi më i madh është që ata janë sapun dhe detergjentë për fytyrën që nuk lahet dot të Saliut e të Ilirit. Ky është problem më i madh se gishtat e se diplomat”, tha Veliaj.
Ai shtoi se opozita mungoi 4 vjet në punë, që përkuan me tërmetin dhe pandeminë, kohët më të vështira për njerëzit. “Një nxënës, i cili nuk shkon 4 vjet në shkollë, mund të marrë diplomë? Përveç atij kandidatit tonë, e kam fjalën për të tjerët, a mund të marrin diplomë? Jo! As 4 vjet, as 4 muaj, as 4 javë, as 4 ditë, por 4 minuta të vonohet një fëmijë, një nxënës në orë të pare, e merr mungesë dhe duhet ta negociojmë nëse e kapi apo s’e kapi orën e parë. Ne një kalama që nxjerr gishtin e mesit e nxjerrim nga klasa, një kalama një nuk vjen 4 minuta merr mungesë. Por në datën 14 maj ne do braktisim ata që na çuan mbrapa e ne ecim vetëm përpara”, tha Veliaj.