Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka folur rreth marrëdhënies që ka me kryeministrin Rama. Veliaj u shpreh se e konsideron kreun e qeverisë një “vëlla të madh”, ndërsa theksoi se flet çdo ditë me të për projektet zhvilluese në Tiranë.
Veliaj shprehet se e konsideron Ramen si bashkëpunëtor besnik, me të cilin, siç shprehet ai “kemi ndarë ditë shumë të vështira kur kemi humbur në opozitë”.
Veliaj: “Ka 20 vite që nuk ka ditë që unë nuk kam komunikuar me Edi Ramën. Edhe nëse kemi qenë në udhëtime, edhe në mazhorancë, edhe në opozitë. Unë e shoh si një bashkëpunëtor besnik, me të cilin kemi ndarë ditë shumë të vështira kur kemi humbur në opozitë. Disa herë për një fije në termat statistikorë të votimeve. Dhe sot e konsideroj një vëlla të madh që s’e kam pasur kurrë. Edin e kam pasur edhe për të më këshilluar në ditët e mia të para dhe sigurisht për të bërë edhe një pakt të madh. E quaj bekim që kam kryeministrin që ka qenë kryetar bashkie, që i di hallet e qytetit. Kemi një simbiozë, kemi një energji dhe një kimi.
Sot e konsideroj Edin kryeministrin më të mirë që ka pasur Shqipëria që nga koha e Pavarësisë, pa më të voglin dyshim.
Ne parashikojmë një Tiranë që ka një shtyllë kurrizore shumë herë më të madhe. Tirana e 100 viteve të ardhshme është projektuar tani, gjykata prokuroria, pallati i kongreseve. Tirana e shekullit të dytë vjen me një pajë kur mendon pjesët që janë zhvilluar. Është argëtuese që diskutojmë sportivitetin me të cilin komunikojmë. Unë dhe Edi bëjmë debate pafund, jemi dy njerëz që e duan këtë qytet aq shumë sa debatojnë deri në lodhje dhe kjo i bën mirë Tiranës. Unë dhe Rama po luftojmë si dashnorë për Tiranën.”/Top Story