Gjatë takimit me banorët e Njësisë 9 në Tiranë, Erion Veliaj ka ironizuar çiftin Berisha-Meta dhe kandidatin e tyre për Bashkinë e Tiranës, i cili u zbulua që ka gënjyer për diplomën e shkollës së mesme, duke thënë se atyre u vjen turp tashmë edhe nga fytyra e tyre. Pa logo partie, pa emër në fletë votimi tashmë, – tha Veliaj, – dalin edhe pa fytyrë, “no face, no name, no number”.
“E keni vënë re, që të dyja palët duam të mbarojmë shkolla? Ne kemi detyrë që të mbarojmë shkollën e 42-të, 43-të, apo të 44-t, ata duhet të mbarojnë shkollën për efekt diplome, por që këtu të dyja palët jemi për të mbaruar shkolla kjo është pak, por e sigurt. As nuk më besohet që do kishim përballë karikatura të tilla.
E keni vënë re, tani thotë mos i shikoni fytyrën, por shikojini gishtat, se u vjen turp nga fytyra e tyre. Se në fakt fytyra e tyre është fytyra e Saliut dhe Ilir Metës, për këtë s’ka dyshim asnjë njeri, u vjen turp. A thua se po mësojnë gjuhën e shenjave në fushatë dhe po ua tregojnë njerëzve me shenja çfarë mendojnë ata për popullin. Ishte shenjë e shëmtuar me thënë të drejtën, po fakti që këta kanë turp nga fytyrat e tyre është tamam si ajo kënga “no face, no name, no number”, pra pa fytyrë, pa emër, pa numër.
Domethënë jemi duke bërë fushatë me disa gishta se nuk i shohim fytyrën asnjë njeriu. Saliu i urryer, Iliri i urryer, kandidati pa diplomë. “Mos iu shikoni fytyrën!” Por çfarë të shohim? Ne nuk dimë me kë po debatojmë, me kë po kandidojmë!” u shpreh Veliaj.