Kandidati i PS për Tiranen, Erion Veliaj zhvilloi një takim me banorët e Kombinatit, Kasharit dhe Astirit, të cilëve u premtoi se mandati i tretë, pas 14 Majit, do t’i dedikohet specifikisht këtyre zonave në Tiranë, që ashtu si me shkollën “Lasgush Poradeci” në Kombinat, do të shtohen edhe 5 shkolla të reja Astir, Yzberisht e Kashar.
“Tre vjet na bllokuan tek Astiri: ‘Nuk e duam autostradën, nuk e duam Unazën, nuk e duam zhvillimin’. Ja ku jemi sot! Është rritur vlera e pronës sepse ku vjen urbanizimi vjen zhvillimi. Ndaj, ju premtoj publikisht: Ky do të jetë mandati i dedikuar Astirit, Kasharit e Kombinatit, si kurrë më parë, për të shkuar deri në cepin e fundit dhe për t’u siguruar që siç e kemi me provë në Kombinat, ku kemi shkollën më të bukur në Shqipëri “Lasgush Poradeci”, apo shkollat “Betim Muço” dhe shkollën e re, që po bëhet nga e para, “Musine Kokalari”, ashtu do i kemi edhe 5 shkollat e Kasharit, Yzberishtit dhe Astirit,” deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se nuk është tesera ajo që duhet të shtyjë në kutinë e votimit, por familja e gjithsecilit dhe mirëqenia e saj garantohet sot në Tiranë vetëm nga Partia Socialiste.
“Nuk dua të mendoni partinë e tesera, por dua që kush jeton në Kombinat, të shkojë e të votojë për shkollën “Lasgush Poradeci”, të shkojë e të votojë për shkollën “Betim Muço”, për kopshtin e për çerdhet, të shkojë e të votojë për faktin që Sharra nuk e nxjerr më atë tymin kancerogjen. Kush jeton në Kombinat, duhet të votojë për fëmijët e vet e nëse PS ka ndërtuar shkolla, kopshte, çerdhe, ka pastruar Sharrën, nëse PS ka bërë sot Kombinatin, kantierin më të madh të rindërtimit për të rikuperuar dëmin e tërmetit, votoni familjen tuaj dhe fëmijët tuaj. Nëse PS ka ndihmuar, atëherë vota për Partinë Socialiste është vota për fëmijët tuaj,” ishte apeli i Veliajt.
Ai nuk la pa përmendur edhe faktin se ai që garon sot përballë tij në Tiranë ka dalë deputet pikërisht me votat e Kombinatit, por nuk bëri asgjë për ta. Përkundrazi, tha Veliaj, sot i ka dhënë fytyrën e tij një 80-vjeçari që ka shkaktuar shumë dhimbje e tragjedi në Shqipëri.
“T’i themi gjërat siç janë! Kombinati prodhoi edhe një deputet, i cili i ka dhënë sot fytyrën Saliut. Çun i ri, i ka dhënë fytyrën një 80-vjeçari, që vetëm na përçan, një 80-vjeçari që bashkë me Zenin e tij, Gërdecin e hodhi në erë; një 80-vjeçari që sot është bërë lolo, gazi i botës, rri në stadium tek pulle dhe u flet sendiljeve bosh. I ka dhënë fytyrën e vet një 80-vjeçari, i cili vrau si frikacak, duke u fshehur pas perdes së Kryeministrisë, 4 socialistë të pafajshëm. Sa turp që një çun i ri jep fytyrën Saliut dhe Ilirit! Ne nuk kemi kundërshtarë përballë, ne kemi një maskë që po e përdor Saliu e Iliri. Nuk kemi ne punë me ata. Ne duam që Kombinati, Kashari dhe Astiri të ecin vetëm përpara”, u shpreh Veliaj.
Ai tha gjithashtu se ashtu si çerdhja e parë që sapo u hap në Astir, zona do të vijojë të transformohet me çdo shërbim si kudo në Tiranë. “Ne sapo kemi hapur një çerdhe të re në zonën e Astirit, aty ku s’kishte asnjë çerdhe, kopshte, shkollë, sepse kur e drejtonin ata e kishin mendjen vetëm për pallate dhe kur e morëm ne, e gjetëm me puset e Laknasit ujin tek Astiri. Tek autostrada nuk na lanë të punonim tre vite. Sapo ka filluar investimi i parë në arsim dhe nuk do ndalemi derisa ta çojmë deri në fund. Nuk do ndalemi deri sa e gjithë Unaza të mbarojë me të 7 lotët e tjera, për t’u siguruar që Tirana çliron komplet trafikun. Ne nuk do ndalemi dhe do sigurohemi që në zonën mes Kasharit e Kombinatit të jetë zona e lirë ekonomike me 7000 vende pune,” vijoi më tej ai.