Veliaj: Tirana sot është një nga qytetet më të pastra në rajon

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Mundësitë Ekologjike për Sektorin Financiar në Shqipëri, tha se Tirana është sot një qytet shumë më i pastër për shkak të politikave të gjelbra të ndërmarra nga bashkia.

“Kur filluam punë në bashkinë e Tiranës, sateliti Kopernik, i cili mat cilësinë e ajrit në të gjitha qytetet e Europës (është një shërbim pa pagesë i BE-së), nga një vlerësim 1-10, Tiranës i jepte vlerësimin 2-3. Sot, tani që po flas po futem live në aplikacion, vlerësimi për cilësinë e ajrit në Tiranë është 8, kurse në ditët pa makina shkon 9-10. Ky vlerësim nuk është 8 sepse flasim bukur, por është i tillë sepse kemi marrë vendimet e duhura”, tha ai.

“Qendra e Tiranës, nga një rrethrrotullim i madh makinash, sot është sheshi më i madh në Europën Juglindore. Pazari i Ri, nga një vend ngarkim-shkarkimi në mes të Tiranës, sot është një tjetër hapësirë pa makina. Këtu, mbas kurrizit tonë, ishte një landfill i vogël, m’u në qendër të Tiranës, Muret e Kalasë, por sot është një tjetër hapësirë e kthyer jo vetëm në një pol ekonomik me shumë biznese, por edhe më e pastër. Kjo do të thotë se e paskemi vetë në dorë. Mënyra se si sillemi, mënyrë si investojmë, si i marrim vendimet dhe nëse i reflektojmë këto vendime, ashtu siç i themi në këto takime, atëherë marrim rezultatet për të cilat ju fola dhe sot Tirana është një nga qytetet më të pastra në rajon”, u shpreh Veliaj.

Ai tha gjithashtu, se një tjetër vendim i rëndësishëm nga bashkia e Tiranës ka të bëjë me Zonën e Lirë Ekonomike në Kashar.

“Bashkia e Tiranës sapo është licencuar nga qeveria, që të operojë një zonë të lirë ekonomike në Kashar; është një hapësirë prej rreth 60 ha dhe që tani kemi klientët e parë potencialë, një prej tyre është kompania më e madhe data-center e Izraelit. Siç pamë edhe rrezikun që na solli hakerimi nga forcat armiqësore, si rasti i Iranit që dëmtoi shërbimet tona, gjithnjë e më shumë lind nevoja për më shumë ‘cyber security’, por edhe më shumë eficencë në mbajtjen e arkivave. Ndoshta, mënyra më e sigurt dhe më eficiente, edhe nga ana energjetike, është krijimi i një data-center të madh dhe ky është klienti i parë që është ofruar për zonën e lirë ekonomike të Tiranës. Një kompani amerikane, e cila prodhon biçikleta elektrike në Pakistan, është klienti i dytë që është ofruar për zonën tonë të lirë ekonomike. Një kompani italiane, që prodhon makina elektrike, është klienti ynë i tretë dhe së fundmi, një kompani aziatike, që prodhon autobusë elektrikë, është klienti ynë i katërt, në katër ditë pasi kemi marr licencën për të operuar”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *