Ditën e djeshme në plazhin e Velipojës, një turist nga Kosova është mbytur teksa lahej në det, por ai mund të kishte shpëtuar në rast se do të merrte shërbimin mjekësor të menjëhershëm. Fatkeqësisht ambulanca ka vonuar 1 orë, pasi ende nuk është hapur qendra shëndetësore që qëndron në gatishmëri në rastet emergjente.
Në lidhje me këtë tragjedi, ditën e sotme kanë reaguar pushuesit nga Kosova, të cilët kanë dalë në protestë. Duke shprehur fillimisht ngushëllimet ndaj familjarëve të të ndjerit, ata kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për sa i përket ndërtimit të strukturës shëndetësore si dhe vendosjen e rojeve bregdetare në cdo subjekt. Gjithashtu ata kanë kërcënuar, se në rast se këto kërkesa nuk plotësohen, ata nuk do të vijnë më në plazhin e Velipojës.
“Më së pari i shprehim ngushëllimet familjes që ka humbur të dashurin e tyre. Për ata jemi këtu për të dhënë një mesazh. Sa herë vijmë këtu kemi humbje të njerëzve. Pushteti e ka këtë detyrë. Po bëjmë apel, më tepër ne po e mbajmë shtetin se ata ne. Mos na bëni më të na shkojnë njerëzit. Ne më këtu nuk vijmë nëse nuk marrin masa”, tha një protestues.
Në tjetër protestuese u shpreh se shkaku i vdekjes së 40-vjeçarit ditën e djeshme është për mungesë së stafit mjekësor. Ajo u shpreh se urgjenca ditën e djeshme u vonua mbi 1 orë. “Më ka ardhur shumë keq që ka shkuar për kujdes të mjekëve. Sepse Emergjenca është vonuar shumë. Ai ka pasur infarkt por mund të shpëtonte. Me sa di sepse isha në shezlong është vonuar më shumë se një orë. Shumë larg më duket për të ardhur Emergjenca. Këtu duhet të jenë të paktën tre Emergjenca. Duhet të ketë vrojtues sepse këtu janë të gjitha moshat, është një kohë që e frekuentojnë të gjithë edhe të vjetër”, tha një tjetër protestues.