Vendimi/ Bursa e Shqipërisë nuk do të ekzistojë më, nuk u bë kurrë një treg funksional

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) vendosi në mbledhjen e kësaj jave çregjistrimin përfundimtar të Bursës së Tiranës nga regjistri i subjekteve financiare të licencuara.

Çregjistrimi u bë sipas kërkesës të paraqitur nga vetë Ministria e Financës dhe Ekonomisë, që ishte aksionar i vetëm i shoqërisë. Ky akt mbyll edhe zyrtarisht ekzistencën e të parës bursë në Shqipëri, që nuk arriti të bëhej asnjëherë një treg titujsh funksional. Për këtë arsye, Ministria e Financave e pati mbyllur në vitin 2014, por pa e çregjistruar zyrtarisht. Çregjistrimi përfundimtar i vendosur këtë muaj përfaqëson tërheqjen përfundimtare të qeverisë shqiptare nga përpjekja për të hapur një treg të letrave me vlerë në Shqipëri.
Bursa e Tiranës e ka origjinën si një departament brenda Bankës së Shqipërisë, i krijuar në maj 1996. Ajo shërbeu si treg primar i emetimit të letrave të borxhit të qeverisë shqiptare deri në vitin 1998, kur ky funksion i kaloi Departamentit të Operacioneve Monetare të Bankës së Shqipërisë. Bursa vazhdoi të funksiononte si treg sekondar, por me aktivitet të pakët dhe që u shua gradualisht.
Në korrik të vitit 2002, Bursa e Tiranës u shkëput nga Banka e Shqipërisë për t’u shndërruar në një shoqëri aksionare, me ortak të vetëm qeverinë shqiptare. Një vit më vonë, në korrik 2003, Bursa e Tiranës mori licencën si treg titujsh nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Përgjatë 11 viteve të ekzistencës, Bursa e Tiranës e përqendroi aktivitetin e saj të pakët kryesisht në drejtim të edukimit, promovimit dhe trajnimeve lidhur me instrumentet e tregut të kapitalit. Por, ajo nuk arriti asnjëherë të ushtronte funksionin e saj bazë, atë të tregut të instrumenteve financiarë.
Pas mbylljes së Bursës së Tiranës, një iniciativë tjetër për të hapur një bursë funksionale në Shqipëri erdhi nga sektori privat. Në vitin 2018, u licencua Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE), investim i disa institucioneve financiare në vend. Megjithatë, deri tani edhe aktiviteti i ALSE ka qenë i pakët dhe i kufizuar në tregtimin dytësor të letrave të borxhit të qeverisë shqiptare. Tregtimi në të bëhet kryesisht nga bankat aksionere të bursës. Deri tani, përpjekjet për të mundësuar tregtimin e titujve private kanë rezultuar të pasuksesshme, megjithëse kompani të veçanta kanë shfaqur një lloj interesi, kryesisht për emetimin dhe tregtimin e obligacioneve me ofertë publike.
Ekzistenca e një burse funksionale në teori do të sillte një alternativë të re për të financuar projektet e sektorit privat. Deri tani, tregu dominohet nga ndërmjetësimi financiar që kryejnë bankat tregtare, me përjashtim të një zhvillimi embrional në tregun e obligacioneve me ofertë private, treg që është zhvilluar kryesisht nga vetë bankat, si një alternativë për të diversifikuar instrumentet e kapitalit rregullator.
Zhvillimi i bursës do të sillte alternative të reja investimi edhe për individët, bizneset apo investitorët e tjerë institucionalë, me qëllim diversifikimin e portofoleve dhe përmirësimin e kthimeve. Përpjekjet për të krijuar një bursë të mirëfilltë deri tani kanë dështuar dhe ekspertët e shpjegojnë këtë me faktorë të ndryshëm, si mungesa e traditës dhe mentalitetit, niveli i konsiderueshëm i formalitetit dhe evazionit në ekonomi, mungesa e hapave konkrete nga qeveria për tregtimin e titujve të kompanive publike, por edhe me përmasën e vogël të tregut, që e bën të vështirë aktivitetin efficient të një tregu titujsh./Monitor

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *