Vendimi i fundit/ Sekuestrohet incineratori i Elbasanit, por… shteti mund t’i marrë ish-ministrit të tij edhe fabrikën e pijeve ‘Gjergj Kastrioti’

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, që është vënë nën pranga këtë të martë nën dyshimin dhe akuzat e ngritura prej Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve për koncesionin kontrovers të incineratorit të Elbasanit, rrezikon më shumë se sa një dënim me burgim.

Nisur nga sa ka ndodhur, SPAK nuk është mjaftuar vetëm me ndalimin e të dyshuarit që mban edhe statusin e “personit publik” pasi më parë ka mbajtur funksione të larta zyrtare si deputet dhe ministër.

SPAK ka kërkuar që ndaj shtetasit Lefter Koka, të vendoset edhe masa e sekuestrimit të pronave të tij të patundshme, ku ndër më të njohurat është edhe ajo e kantinës së pijeve “Gjergj Kastrioti” në Shijak.

Masa e seksuestrimit të pasurive të ish-ministrit Koka

Sipas SPAK është marrë vendimi për: Caktimin e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit L.K., të ‘88, 19%’ të aksioneve në pronësi të tij në shoqërinë tregtare “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu” sh.a., me “Nipt J61811527M”, me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korrespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale.

“Shtetasi L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare ‘Albtek Energy’ sh.p.k. dhe ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij”,- thuhet më tej në deklaratë.

Bashkëpunimi me të dyshuarit e tjerë

Sipas SPAK, Koka, ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë, pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.

SPAK ka kërkuar gjithashtu arrestimin e shtetases Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë “Albtek Energy”, si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë “Integrated Technology Services”, por këta dy të fundit u shpallën në kërkim pasi policia nuk arriti të gjejë vendndodhjen e tyre.

Mbi të dyshuarit rëndojnë akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.

Sipas SPAK, koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin ndërsa “Albtek” dhe “Integrated Technology Services”, kanë bërë pagesa për kompani të cilat dukshëm nuk kanë kryer punimet për të cilat janë paguar.

Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Albtek Energy” sh.p.k., me seli qendrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

Caktimi i masës së sigurimit pasurore ‘sekuestro preventive’ për personin juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

Te grupi i kompanive pas incineratorit të Elbasanit, janë përfitues edhe të dy kontratave të tjera kontroverse të dhëna nga qeveria aktuale e kryeministrit Edi Rama, incineratori i Fierit dhe landifilli i Tiranës. SPAK nuk bëri të ditur se çfarë ndodh me këto dy kompani të tjera.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *