Partia Demokratike ka dënuar ashpër veprimin e KAS dhe 4 anëtarëve të saj për të mos lejuar koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’ të zgjedhë vetë kryetarin e saj. Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo deklaron se me urdhër të kryeministrit Edi Rama, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve u hoqi të drejtën partive opozitare për të zgjedhur.
“Rama dhe Brava-Alibashët, të tmerruar nga fitorja e opozitës, besojnë se, me një vendim të tillë mund t’i pengojnë ata”- deklaron Garo.
Partia Demokratike, në emër të kolaicionit “Bashkë Fitojmë”, e cilëson këtë akt si të paligjshëm.
DEKLARATA:
Ilir Rusmali, Elvin Lako, Koli Bele dhe Ledio Braho, katër mercenarë në oborrin e Ramës me qëllim trembjen e opozitës, kanë marrë një vendim në emër të KAS, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, që turpëron edhe letrën ku është hedhur. Ata provuan se ata janë vrasës të parimeve themelore të zgjedhjeve të lira. Ata i janë kthyer me një “Jo” absurde, kërkesës legjitime dhe sovrane të n/Kryetarit të Partisë së Lirisë, z. Endrit Braimllari, në emër të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që drejtues i koalicionit të ishte z. Sali Berisha.
Me urdhër të Edi Ramës, në dhunim të parimeve më themelore kushtetuese e demokratike, u heqin partive opozitare të drejtën për ta zgjedhur. Sipas tyre, atë duhet t’ua caktojë padroni i tyre, Edi Rama. Arsyeja e vendimit është e qartë, dhe, nuk është as ligjore, as kushtetuese, as logjike dhe as morale. Duke ndjekur urdhrin dhe gjuhën që e përdorin përditë Rama dhe Brava-Alibashët, të tmerruar nga fitorja e opozitës, besojnë se, me një vendim të tillë mund t’i pengojnë ata.
Përpjekja për të minimizuar staturën e drejtuesit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, z.Sali Berisha, është asgjë më shumë sesa mjerimi i radhës. Që nga shtatori i para dy viteve, historia dhe përballja politike direkte, i ka gjykuar burrat dhe i ka provuar udhëheqësit.
Partia Demokratike, në emër të kolaicionit “Bashkë Fitojmë”, e sheh këtë akt të fundit të paligjshmërisë dhe amoralitetit, si një ‘banalitet të së keqes’ që, duke u përsëritur, i bën dëm vetëm vetes. Ne jemi bashkë më 14 maj dhe të vetmin aprovim që kërkojmë janë votat e shqiptarëve. Rama dhe Alibasha, me gjithë mercenarët e tyre, janë e shkuara. E ardhmja është në duart tuaja. Bashkë Fitojmë!
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka vendosur rrëzimin e kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” për pasqyrimin e emrit të Sali Berishës në fletën e votimit. Më pas u bë kërkesa për ta përfaqësuar koalicionin me emrin e Metës, kërkesë kjo që u miratua.