Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Bordit të Transparencës për çmimet.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se PD ka fituar një tjetër betejë me mazhorancën. Sipas tij, me këtë vendim gjykata tregoi se po mbron interesin publik, teksa shtoi se ky bord rëndon xhepat e qytetarëve.
“Një tjetër betejë e fituar me qeverinë dhe oligarkët e saj. Goditja e Bordit të Oligarkëve në Gjykatën Kushtetuese ishte hapi i duhur i opozitës. Abuzimi me çmimet i oligarkëve me bekimin e qeverisë së Edi Ramës rëndonte qytetarët shqiptarë. Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese mbron interesin publik. Krenar për çdo kolegë që mbështeti këtë inicativë”, shkruan Bardhi.
Ndërkohë ka reaguar edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku. Ajo u shpreh se kjo rrugë duhet të ndiqet edhe me bordin për karburantet.
“Gjykata Kushtetuese shpëton shqiptarët nga bordet socialiste dhe i jep të drejtë grupit parlamentar të PD! Bordi çmimeve të ushqimeve është antikushtetues! Një tjetër betejë e fituar nga Grupi Parlamentar i PD që dërgoi ne GJK Bordin e Çmimit të Ushqimeve! Bordi komunist, që në periudhë krize ka vendosur çmime abuzive në kurriz të xhepave të shqiptarëve duke rritur me të paktën 30% çmimet e shportës dhe duke bërë biznes me krizën e shqiptarëve, tanimë është nul! Shpresoj shumë që ky të jetë një fillim i mirë dhe për vendimin mbi bordin e karburanteve.
Politika në ndihmë të qytetarëve është pikërisht kjo! Pasi kjo e sotmja është një fitore mbi të gjitha e shqiptarëve që përtej bindjeve politike do të çlirohen nga një bord komunist dhe antikushtetues. Bordi Socialist tanimë duhet shkrirë! Ndërsa qytetarët presin të merret vendimi mbi Bordin e Karburanteve që penalizon shqiptarët dhe kënaq oligarkët”, shkruan Tabaku.