Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, e ka cilësuar lajthitje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos marrë në shqyrtim kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor mbi investimet strategjike.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Bardhi akuzon gjykatën për ndryshim të objektit të kërkesës së 1/5 të deputetëve demokratë, ndërsa tha se kërkesa ka qenë e ligjshme.
“Guximi i Gjykatës Kushtetuese për të ndryshuar objektin e kërkesës së 1/5 së deputetëve mund të shpjegohet vetëm me errësimin e syve nga oligarkët e investimeve strategjike. Është akt i paprecedent vendimi i sotëm i GJK që nuk shprehet për kërkesën e paraqitur, por supozon për ekzistencën e një kërkese që nuk është paraqitur.
Në GJK nuk është paraqitur asnjë kërkesë për zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencave mes pakicës dhe shumicës. 1/5 e deputetëve kanë të drejtë të kërkojnë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe kanë paraqitur këtë kërkesë.
Të ndryshosh objektin e kërkesës dhe të shprehesh për një kërkesë që nuk është paraqitur është lajthitje. Kush i detyroi anëtarët e GJK të lajthisin për llogari të oligarkëve?!”, shkruan Bardhi.