Vendimi/ Task-Forcë për kontrollin e tokave bujqësore pa titull pronësie

Tokat bujqësore pa titull pronësie, por në përdorim nga të tretët do të kalojnë në sitën e Task Forcës ndërinstitucionale të propozuar nga Këshilli i Ministrave.

Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare “Për ngritjen e Task-Forcës për koordinimin e procesit të trajtimit të tokave bujqësore në përdorim, në kushtet e nenit 12, të ligjit nr. 20/2020” parashikon që në përbërje të Task -Forcë do të ketë përfaqësues nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Trajtimit të Pronës dhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor. Përbërja e saj do të miratohet me urdhër të Kryeministrit.

Task Forcë do të ketë detyrë të hartojë planin e veprimit për trajtimin dhe zgjidhjen e problematikës në lidhje me tokat bujqësore në përdorim të personave fizikë (individë) pa titull pronësie. Fillimisht do të evidentohen sipërfaqet e pronave si dhe poseduesit e tyre.

Me tej Task Forcë do të analizojë rast pas rasti rrethanat për fitimin e pronësisë sipas mënyrave origjinale të parashikuara në Kodin Civil apo mënyrave të tjera të posaçme, të parashikuara në ligje të veçanta.

Nga ana tjetër sipas vendimit Task -Forca do të bashkëpunojë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim finalizimin e proceseve, për kërkesat e dorëzuara pranë këtij institucioni nga pushteti vendor.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *