Kreu i ‘Rithemelimit’ Sali Berisha ka dhënë mesditën e sotme një konferencë për mediat, në fokus të së cilës ishte kërkesa e përsëritur për debate publike mes kandidatëve kundërshtarë. Sipas tij deri tani qytetarët po dëgjojnë vetëm fjalimet me mashtrime të Rilindjes. “Një fushatë mediatike pa debat është një terr i vërtetë për qytetarët shqiptarë” – tha ndër të tjera Berisha.
Berisha: Transparenca dhe përgjegjësia para qytetarëve kërkon në mënyrë imperative debatet në të gjitha nivelet mes kandidatëve që garojnë për kryetarë bashkie, midis këshilltarëve të parë që garojnë për kryetarë të parlamenteve lokale. Një fushatë mediatike pa debat është një terr i vërtetë për qytetarët shqiptarë të cilët dënohen të dëgjojnë fjalime të stisura, të mbushura me mashtrime nga rilindasit dhe nuk kanë mundësi për asnjëlloj llogaridhënie dhe transparence. Refuzimi i debatit ka në bazë krimet e mëdha ekonomike, vjedhjen e madhe të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij vendorë.
A mund ta imagjinoni ju që Rama të dalë në debat me Berishën? Ky është një rasti artë për qytetarët të njihen me të gjitha aferat e Edi Ramës, me firmë dhe me vulë.