Pashk Gjoni kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Lezhës zhvilloi ditën e sotme një takim me familjet e vjetra lezhiane. Gjatë fjalës së tij ai u premtoi qytetarëve se do marrin zgjidhje për të gjitha problemet e tyre, nisur nga infrastruktura deri te ndryshimet në sistemin e ujërave të bardha dhe të zeza. Pjesë e këtij takimi ishte dhe ish-prefekti socialist i Lezhës Gjok Jaku.
“Lezha ka problem me përmbytjen, Lezha ka problem me ujërat e bardha, me parkingun me sipërfaqet e gjelbërta. Katër vite më parë kemi qenë më të qetë, pasi nafta kushtonte më pak, taksat ishin më të pakta dhe shpenzimet po ashtu, ndërsa sot çdo gjë është vështirësuar. Ndaj ju premtoj se do të bëj të mundurën dhe të pamundurën të jem njëri prej jush pasi nuk do ja lejoj vetes të maskohem ,të rri me xhama të errët dhe në sendilen mbrapa. Unë do ec vetëm sepse nuk kam frikë” – tha Gjoni.
Kandidati opozitar për Lezhën, Pashk Gjoni u shpreh i bindur në fitoren e 14 majit, pasi sipas tij Lezha nuk mund të pajtohet me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e këtij pushteti.