Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Durrësit Igli Cara, ka kërkuar mbështetjen e emigrantëve durrsakë, në mënyrë që të bëjë të mundur ndryshimin për këtë qytet. Ai shprehet se në sajë të mbështetjes së tyre realiteti mbytës duhet të ndryshojë.
Reagimi i plotë:
Miqtë e mi!
Jam sot këtu te Ballkoni i Durrësit, që durrsakët e dinë mirë ku është.
Durrësi, qytet port që bashkon dhe ndan familjet shqiptare.
Për fat të keq, në këto vite gjithnjë e më shumë durrsakët, por dhe shqiptarët ikin për të mos u rikthyer, pasi Shqipëria po bëhet një vend të pajetueshëm.
Është vështirë që në qytetin tonë të gjesh familje pa emigrantë.
Jeni larg, por gjithmonë jeni pjesë e rëndësishme e këtij qyteti. Duke ndihmuar familjet, prindërit, të afërmit, duke ja lehtësuar barrën e halleve, që sa vijnë e shtohen.
Është një kontribut i juaji që nuk është ndalur në asnjë çast dhe që është një vlerë e shtuar kur bëhet fjalë për të ardhmen e qytetit. Por a mjafton kjo? Realiteti mbytës duhet të ndryshojë. Dhe për këtë kam nevojë për mbështetjen tuaj
14 Maji është momenti i duhur për t’u bërë bashkë për qytetin, për familjen, për njëri-tjetrin. Të rikthejmë besimin dhe shpresën!
Vota juaj është investimi më i mirë për Durrësin!