Ka përfunduar pa një rezultat konkret takimi mes Gazment Bardhit nga grupi i Alibeajt dhe Edi Palokës nga grupi i Sali Berishës, të mandatuar si negociatorë për bashkimin e demokratëve në kuadër të zgjedhjeve vendore.
Takimi ka nisur rreth orës 11 dhe ka përfunduar në orën 12.20 dhe u zhvillua në një prej lokaleve përballë Parlamentit.
Pas interesimit të mediave, deputeti Gazment Bardhi tha se: “Po vijojmë diskutimet”.
Ndërsa Edi Paloka u shpreh: “Nuk mund të quhet i dështuar takimi i sotëm. Ka vullnet për të dalë me një kandidat të përbashkët. Ju lutem, kaq për sot, kur të kemi diçka më shumë, do ua them.”
Kujtojmë se ky takim vjen një javë pasi Grupi Parlamentar i PD iu përgjigj thirrjes së kryedemokratit Berisha për të bashkëpunuar e për të dalë në zgjedhje me një kandidat.