Në 24 janar, në kulmin e debateve për zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit, një sasi tritoli shpërtheu në portën e jashtme të shtëpisë së presidentit të Federatës.
Pas 24 orësh Policia e Durrësit arrestoi 34-vjeçarin Arlen Hasanaj dhe ngriti pretendime se e kishte zbardhur ngjarjen.
Hasanaj, është sipërmarrës dhe fqinj i Dukës në lagjen 4 të qytetit të Durrësit, u akuzua për veprat penale të ‘shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “mbajtje pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”.
Por në një seancë për vlerësimin e arrestit tre javë pas shpërthimit, Prokuroria e Durrësit kërkoi lirimin e Hasanajt nga qelia dhe gjykata e miratoi kërkesën.
Prokuroria e Durrësit e shpjegoi ndryshimin e qëndrimit me provat që kishte në dispozicion.
“Niveli i provave në këtë fazë nuk e justifikon arrestin me burg,” tha Anita Jella, drejtuese e Prokurorisë.
Avokati i Hasanajt, Ilia Ilia i tha BIRN se klienti i tij ishte arrestuar në mungesë të provave dhe se ishte i terrorizuar pas arrestimit. Ai pretendoi gjithashtu se kishte prova filmike që e tregonin Hasanajn larg vendit të ngjarjes.
“Arrestimi i tij u bë nga nguti për të gjetur një fajtor për shkak të përplasjeve për zgjedhjet e FSHF,” tha avokati Ilia.
“Ka prova filmike që në momentin kur ndodhi ngjarja, i mbrojturi prej meje nuk mund të ishte në vendin e ngjarjes,” shtoi ai.
Shpërthimi i tritolit në shtëpinë e Dukës ndodhi në kohën kur ky i fundit po garonte për mandatin e katërt në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe gjendej në një përplasje të hapur me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Sherri që zhvillohej prej muajsh në prapaskenë e pati kulmin më 24 janar, kur FSHF publikoi një regjistrim audio, në të cilin kryetari i Bashkisë së Tiranës dëgjohet të kërcënojë me ndjekje penale përfaqësues të FSHF-së dhe këmbëngul që të votohet një kryetar i mbështetur prej tij.
Pas shpërthimit në shtëpinë e Dukës, Veliaj i bëri thirrje policisë që të hetonte ngjarjen.
“Duhet urgjent policia, prokuroria, kamerat… Të sigurohet jeta e kujtdo. Ai është kundërshtari im, jo armiku im,” tha Veliaj në një intervistë për Ylli Rakipin në MCNTV.
Sipas të dhënave të siguruara nga vendimet për masë sigurie të Gjykatës së Durrësit, arrestimi i Arlen Hasanajt u parapri nga sekuestrimi i pamjeve filmike të kamerave në shtëpinë e Dukës dhe në disa biznese të tjera në zonë.
Njëra prej kamerave në shtëpinë e Dukës, sipas vendimit, fiksoi autorin e dyshuar të ngjarjes; një person i veshur me xhup të zi me kapuç dhe maskë si dhe me tuta sportive të zeza dhe atlete të bardha.
Ai u filmua në kamerat e qendrës tregtare Flagship në orën 22.00 dhe pranë banesës së Dukës në orën 22.03 minuta. Kamerat fiksuan po ashtu largimin, që sipas prokurorisë ishte bërë në të njëjtën rrugë. Personi me veshje të ngjashme me atë që la eksplozivin në derën e Dukës u fiksua sërish në kamera para qendrës Flagship në orën 22.06 minuta.
Në të njëjtën natë, Hasanaj u filmua gjithashtu i veshur me xhup dhe tuta të zeza si dhe atlete të bardha.
Bazuar në kamerat e sigurisë dhe antenat celulare, policia gjeti se Hasanaj kishte shkuar më herët atë natë në një qendër tregtare në Tiranë me një automjet Benz GLE dhe kishte dalë që aty në orën 21:37 minuta.
Vendimi i gjykatës citon se sipas të dhënave nga antenat celulare, makina me të cilën udhëtonte Hasanaj ndodhej në Urën e Dajlanit në orën 22:00 dhe dy minuta më vonë u parkua pranë një kafeneje nga një person i dytë.
Duket se bazuar në këto pamje dhe faktin se shtëpia e Dukës, qendra tregtare dhe Caffe Polis duken të arritshme me këmbë brenda kohës në të cilën ka ndodhur ngjarja, prokuroria kërkoi masë sigurie me burg ndaj Hasanajt.
Më 29 janar, Gjykata e Durrësit vlerësoi se “çmon se rrezikshmëria e veprave penale për të cilat ai dyshohet është relativisht e lartë, nisur dhe nga sanksioni që parashikohet për to, dhe përhapjen e gjerë aktualisht në vendin tonë”.
Por më 16 shkurt, në një vendim ku parashtrohen të njëjtat prova, prokurorja Edina Kurti arsyetoi se “nevojat e sigurimit ishin zbutur”. Gjykata arsyetoi njësoj se “nevojat e sigurimit ishin zbutur ndjeshëm” dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Hasanajt, duke caktuar ndaj tij masën e “detyrimit për paraqitje”.
Avokati i Hasanajt tha se klienti i tij nuk duhej të ishte arrestuar asnjëherë dhe se ‘kishte prova të pakundërshtueshme” që ai ndodhej te Ura e Dajlanit në kohën kur personi që vendosi eksplozivin u filmua para Flagship.
“Nuk mund të ishte njëkohësisht në dy vende,” tha Ilia, ndërsa shtoi se priste që çështja ndaj 34-vjeçarit të pushohej.
Ilia tha se arrestimi i kishte krijuar Hasanajt probleme me biznesnin dhe stres të shtuar. “Është i terrorizuar”, tha ai, ndërsa shtoi se arrestimi ishte bërë pasi “duhej që dikush të ishte në burg për ngjarjen”./ BIRN