Tre persona janë arrestuar nga policia e Korçës pasi në dy lokalet në pronësi të tyre, vendosnin skedina përmes telefonit.
Uniformat blu njoftojnë se në pranga kanë rënë shtetasit, E. C., 44 vjeç, M. B., 27 vjeç dhe R. S., 21 vjeç. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi E. K., 36 vjeç.
Në lokalet e tyre në lagjet nr. 1 dhe 2 në Korçë, u janë gjetur telefona përmes të cilëve vendosnin skedina.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Basti i fundit”, goditen 4 raste të tjera të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe të informalitetit.
Ushtronin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, në lokalet e tyre, vihen në pranga 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Procedohet penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër, pasi ushtronte aktivitetin në një lokal të paregjistruar në organet tatimore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme dhe në lokale në qytetin e Pogradecit. Si rezultat, kanë goditur disa raste të këtyre paligjshmërive, konkretisht:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, shtetasit:
– E. C., 44 vjeç, banues në Memaliaj, M. B., 27 vjeç dhe R. S., 21 vjeç, banues në Pogradec. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi E. K., 36 vjeç, banues në Pogradec.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia, në lokalet e këtyre shtetasve, në lagjet nr. 1 dhe 2, në Pogradec, u gjetën dhe u sekuestruan, nga 1 aparat celular, që dyshohet se shërbente për vendosjen e basteve sportive.
Gjithashtu, nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Ç., 38 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, pasi ky shtetas ushtronte aktivitetin në një lokal, në lagjen nr.2, pa dokumentacionin përkatës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan aparatet celulare që përdoreshin për vendosjen e basteve sportive të palejuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.