Kryeministri Rama ka publikuar sot pamjet nga punimet në Urën e Madhe të Kukësit, e cila është pjesë e Rrugës së Kombit. Rama shkruan se puna atje vijon pa ndërprerje në mënyrë që kësaj rrugë t’i shtohet ura moderne mbi lumin Drin.
“Vijon pa ndërprerje puna për veprën e munguar të Rrugës së Kombit, Urën e Madhe të Kukësit mbi Drin. Ura do te jete e varur në 310 m gjatësi dhe struktura e saj mbajtëse kryesore, do te jete një element mbresëlënës prej çeliku special, me hapësirë 270m dhe lartësi 50m”, shkruan Rama.
Ura e Madhe e Kukësit do të zëvendësojë urën e vjetër ekzistuese që ka më shumë se 45 vite që mban ‘mbi supe’ me mijëra mjete përgjatë viteve. Më herët vetë kryeministri Rama ka thënë se kjo urë e vjetër do të qëndrojë si relike e kohës dhe nuk do të shërbejë më as si urë kalimi për rrugë dytësore.