Gazetari Artan Hoxha ka zbardhur detaje të tjera nga kontrolli në vilën e Ervis Martinaj në Surrel teksa tha se veprimi i autoriteteve ishte i vonuar.
I ftuar në ‘News24’ gazetari Hoxha tha se Martinaj ka dy vila në posedim në atë zonë dhe shtoi se kontrolli ishte jo efektiv për shkak të kohës së gjatë që kishte kaluar që nga shpallja në kërkim e Ervis Martinajt. Më tej ai shtoi se nga data 17 maj deri në ditën kur u bë kontrolli, ka pasur mjaftueshëm kohë për të hequr nga banesat e tij, çdo gjë komprometuese që mund të kishte brenda.
“Është një veprim i cili vijoi operacionin që u bë më 26 dhjetor të vitit të kaluar që po ashtu ishte një veprim i vonuar. Më duken si procedura që duhet të ishin bërë herët dhe tashmë janë duke u bërë një nga një të paktën për të qenë në rregull me letrat, për të thënë që ne e kontrolluam këtë banesë sepse pak a shumë diheshin banesat ku kishte jetuar Ervis Martinaj. Pse duhet të kalonin 5 muaj për të ushtruar kontroll në këto banesa?! Ervis Martinaj është shpallur në kërkim më 17 maj në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”. Nuk janë bastisur këto banesa që në atë kohë. Ka pasur 3 muaj kohë deri te zhdukja që dhe nëse do kishte gjë komprometuese ta hiqte. Pastaj nga data 9 gusht deri sot kanë kaluar 5 muaj të tjerë”, tha Hoxha.
Ai deklaroi se shkak i përplasjes së Martinajt me autoritetet, ka qenë blerja e dy vilave pranë shtëpisë së kryeministrit Rama. Hoxha shtoi se vetëm njëra nga vilat e tij është kontrolluar ndërsa për tjetrën ende nuk ka informacion nëse është ushtruar kontroll.
“Kjo gjë provoi dhe atë që e kam thënë më parë, që një nga motivet që Martinaj u përplas me autoritetet shtetërore ishte fakti që ai bleu dy banesa në zonën ku jeton kryeministri. Kjo është një nga banesat, nuk e di nëse është kontrolluar banesa tjetër. Ka jetuar bashkëshortja dhe vajzat. Nuk e di nëse kishte lindur djali i tij apo jo. Mbaj mend që fëmijët e tij, vajzat në mos gaboj kanë qenë në një nga shkollat që është afër në këtë zonë në periferi të kryeqytetit. Banesa tjetër është në dalje të Surrelit, në hyrje të fshatit Priskë. Nuk e di nëse ka shkuar aty apo jo se s’kam parë njoftim nga policia ose nga prokuroria nëse ka pasur kontrolle në banesë”, u shpreh Hoxha.