Një verë argjentinase është zgjedhur si më e mira në botë për të tretin vit radhazi.
Lista e Vreshtave më të Mira në Botë zgjodhi verën pasi mori vlerësimin e pothuajse 600 ekspertëve ndërkombëtarë.
Veraria Zuçardi Valle de Uco, në provincën e Mendoza doli në krye të listës së vitit 2021. Lista vlerëson kantinat e verës në botë dhe cilësinë e produkteve të tyre, për të zgjedhur 100 destinacionet kryesore të verës në botë.
“Ne jemi shumë të lumtur. Është një njohje e rëndësishme për ne dhe gjithashtu për rajonin, sepse është një juri e madhe ndërkombëtare që rrotullohet nga viti në vit,” – tha Miguel Zuçardi, një nga menaxherët e vreshtit.
Lista, e përpiluar çdo vit vlerëson vendet më të mira për të shijuar dhe mësuar rreth kultivimit të verës dhe rrushit, si dhe arkitekturën e kantinave, restoranteve dhe hoteleve të tyre.
10 kantinat e verës që kryesojnë renditjen globale të publikuar këtë javë janë:
- Zuçardi Valle de Uco (Argjentinë)
- Marqués de Riscal (Spanjë)
- Chateau Margaux (Francë)
- Bodega Garzón (Uruguaj)
- Montes (Kili)
- Antinori nel Chianti Classico (Itali)
- Catena Zapata (Argjentinë)
- Viña VIK (Kili)
- Gonzalez Byass-Bodegas Tío Pepe (Spanjë)
- Creation (Afrika e Jugut).
/Burimi: worldsbestvineyards/ Përshtati Priza.al/