Sot Veriu i Kosovës u gdhi në tym e flakë, ku gjatë natës grupe paramilitare serbe i kanë vënë zjarrin disa zyrave në kufi, në rajonin e Zubin Potokut, si dhe kanë shpërthyer granata dore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në Zubin Potok, ku persona të dyshimtë kanë djegur Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.
Kurti shkruan në statusin e tij se, sipas hetimeve të para djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme.
‘Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje.Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar’ shkruan ndër të tjera në postimin e tij Kryeministri i Kosovës.
Postimi i plotë i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Facebook:
“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar.
Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal, po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen.
Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje.
Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë.
U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës”.
/Priza.al/