Për të disatën ditë me radhë, dhjetëra kamionë me mallra nga Shqipëria nuk lejohen që të hyjnë në pikën e kalimit kufitar të Vermicës. Punonjësit e doganës shprehen se nuk mund të bëjnë asgjë për shkak se vendimi është marrë nga ana e qeverisë kosovare.
Sanksionet e vendosura nga qeveria Kurti për të ndaluar çdo automjet të transportit të mallrave me targa serbe për të hyrë në territorin e Kosovës kanë dhënë efekte negative edhe për prodhimet shqiptare.
Janë mbi dhjetëra kamion të ngarkuar me prodhimet tona vendore që janë bllokuar në pikën kufitare të Vërmicës në Morinë të Kukësit. Një pjesë e kamioneve janë me fruta apo perime nga zona e Lushnjes, të cilat rrezikojnë të prishen.
Drejtuesit e kamionëve po qëndrojnë të ndaluar që prej disa ditësh, në kushte të vështira, ndërkohë që një mundësi është që ata të kthehen nga aty, dhe të kalojnë kufirin nga Mali i Zi.
Ata thonë se ndalimi ka ardhur pa paralajmërim, vetëm se automjetet janë me targa serbe pavarësisht se malli është shqiptarë dhe destinacioni është për Kosovë apo Serbi.
Më tej ata apelojnë që kjo situatë të marrë zgjidhje të shpejtë dhe tregtia mos të bëhet viktimë e politikës.
Nisma e Ballkanit të Hapur ka rritur ndjeshëm shkëmbimin e mallrave të vendeve të Ballkanit, sidomos të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e Serbisë. Por përkeqësimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë nga incidentet në veri ka shkaktuar një mori efektesh që po i vuajnë të gjithë.