Një tjetër rritje kanë pësuar edhe çmimet e produkteve të përpunimit të mishit të pulës.
Për më shumë se dy ditësh në dyqanet e pakicës në vend në lidhje me produktet si: fileto, salsiçe dhe kremviçe pule janë rritur nga 9 deri 14%.
Sakaq, në dyqanet e produkteve ushqimore një pako salçice pule me paketim nga 210 lekë po tregtohet 240 lekë (rritja 14,2%), paketim i mesëm nga 220 lekë po tregtohet 240 lekë (rritja 9%), ndërsa çmimi i kremviçeve në paketim të vogël nga 100 lekë po tregtohen 110 lekë (rritja 10%).
Përfaqësuesit e kompanisë FIC PRO, janë shprehur se për produktet e pulës ka rritje mesatare të çmimeve 10% e ndikuar nga shtimi i kostove të lëndës të parë dhe produkteve të tjera.
Ndërkohë, shqetësim vazhdon të ngelet për prodhuesit e sallamit sepse i është rritur çmimi i energjisë, naftës, gazit, ambalazhimit dhe plastikës.
“Rritja e çmimeve është ndikuar nga rritja e mishit të importit që vjen nga jashtë. Aktualisht çmimi i mishit të pulës të importit është rritur 12,5 % nga 400 lekë për kg që ishte në muajin janar është 450 lekë për kg. Para muajit janarit çmimi i mishit të pulës ishte 50 deri 100 lekë më pak për kg. Jashtë ky produkt, por edhe të tjera po gjenden me shumë vështirësi. Në shtimin e kostove kanë ndikuar e çmimi 3-fish më i lartë i energjisë, 2-fishimi i çmimit të gazit që përdorim në fabrikë, si dhe shtrenjtimi i lartë i çmimit të naftës. Çmimi të lartë ka pasur edhe për lëndët ambalazhuese, plastikës etj”,shprehen drejtuesit e kompanisë.
Por është evidentuar edhe mungesa e lëndës të parë të produktit të mishit të pulës. . Sakaq sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë në vend për 2020 është prodhuar 4,005 ton mish i freskët shpendësh dhe 1,584 ton mishi i ngrirë i shpendëve. Prodhimi i mishit të freskët të shpendëve në 2020 ishte 33,3% më pak se 2019. Në raport me vitin 2013 prodhimi ishte 18% më shumë. Rënie për 2020 pati edhe për prodhimin e mishit të ngrirë të pulës rreth 3% më shumë se në 2019. Krahasuar me vitin 2013 prodhimi në 2020 u rrit 43%.