Martesa e tyre zgjati vetëm 44 ditë. Bëhet fjalë për ish-çiftin Mert Aydın dhe Merve Bolugur të cilët zyrtarisht futen në listën e çifteve me martesën më të shkurtër. Dyshja i thanë “po” njëri-tjetrit në 2 tetor të këtij viti, mirëpo gjërat nuk shkuan ashtu siç i premtuan njëri-tjetrit.
Sipas mediave të huaja, ka qenë muzikanti i pari që ka marrë hapin për ndarjen nga aktorja e njohur e serialeve turke. Mert Aydın udhëzoi avokatin e tij që të niste procedurat e divorcit.
Ndërsa lajmin publik që nuk do të jenë më bashkë, për ndjekësit e shumtë e dha Merve me anë të një postimi në Instagram. Ajo nuk harroi edhe të falenderonte ish-bashkëshortin për ditët e bukura që kishin kaluar.
“Nuk ia dolëm dot, faleminderit. Kjo është jeta.. Gëzuar Mert, faleminderit për ditët tona të mira…”-shkruante Merve në postimin e saj.
Mesa duket aktorja turke nuk paska fat me martesat. Kjo ishte martesa e dytë pas ndarjes me këngëtarin Murat Dalkılıç, me të cilin u martua në vitin 2015.
Ndonëse karriera e saj është e gjatë, ajo u bë e njohur më shumë me rolet e saj në “Acemi Cadi”, “Küçük Sirlar”, “Muhtesem Yüzyil”, ndërsa në Shqipëri Merve fitoi zemrat e shikuesve me rolin e saj në serialin e ndjekur “Kuzey Güney”.