Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në komisarjatin e Kavajës, ku një i ri i dha fund jetës duke u varur.
AMP njofton se 30-vjeçari, Igli Meta ka përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur për të kryer vetëvrasjen, si dhe nga ekspertiza e bërë mjeko-ligjore nuk kanë rezultuar shenja dhune.
Sakaq, kjo e fundit bën me dije se punonjësit e policisë kanë shpërdoruar detyrën, duke mos marrë masa për parandalimin e ngjarjes.
Njoftimi i Plotë:
Në vijim të komunikimit për ngjarjen e ndodhur me datën 04.05.2022 në Komisariatin e Policisë Kavaje, ku është gjetur i vdekur shtetasi I.M., Drejtoria Rajonale e AMP Durrës-Kavajë ka përfunduar hetimet paraprake nga ku ka rezultuar si vijon:
Më datë 04.05.2022, rreth orës 19:00, në dhomat e sigurisë/ndalimit/arrestimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë, shtetasi i arrestuar I.M., 31 vjeç, ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur, duke gjetur më pas dhe vdekjen.
Nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë është bërë këqyrja e viktimës nga ku ka rezultuar se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se punonjësit që kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen dhe mbajtjen në kontroll të shtetasit I. M gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar/ndaluar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Ligji 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Procedura Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre” miratuar me Urdhër nr.925, datë 19.07.2019 të DPPSH.
Pas marrjes dhe vlerësimit të provave në kuadër të këtij hetimi dyshohet se këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, duke mos marre masa për parandalimin e ngjarjes.
Në përfundim të hetimeve paraprake, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale e AMP-se Durrës) ka arrestuar në flagrancë 3 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal e konkretisht:
- Nënkomisar P. B., 61 vjeç, me detyrë Specialist i sallës së komandimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë;
- Inspektor B. B., 60 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kavajë;
- Inspektor R. K., 59 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë pranë Komisariatit të Policisë Kavajë.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës për hetime të mëtejshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 90 90