Veton Surroi: Spinoza në Zubin-Potok

Shpërthimi terrorist në kanalin Ibër-Lepenc është alarmi më i ndezur për të konsideruar që marrëdhëniet Kosovë-Serbi duhet të trajtohen brenda kontekstit të një zone evropiane të përbashkuar të sigurisë.

1.

Dy ditë para se të ndodhte shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në afërsi të Zubin-Potokut isha në një konferencë për siguri të Ballkanit Perëndimor në Klubin e Oficerëve të Armatës Greke në Athinë. Sallës së plotë të ushtarakëve të interesuar dhe të diplomatëve e akademikëve, të cilët i njoh në tridhjetë vjetët e fundit, nuk kisha shumëçka të re për të shpjeguar nga hollësitë e përditshmërisë, por m’u duk me vlerë që të vlerësoja momentin historik nëpër të cilin po kalon regjioni me një thënie të bërë që në shekullin XVII nga filozofi holandez Baruch Spinoza. Prej shqiptimit ka kaluar shumë kohë e madje ka pasur përvetësime  (në shekullin XX nga Martin Luther King e në shekullin XXI nga Barack Obama)- por thënia në origjinal dhe e nxjerrë prej një fjalie të zgjeruar cek thjesht se “Paqja nuk është mungesë e luftës”, apo e shqipëruar më me rehati :“Mungesa e luftës nuk e bën paqen”.

Pra, ashtu siç do ta përshkruante asokohe Spinoza, fakti që nuk ka luftë të armatosur në një vend a regjion nuk do të thotë se ai vend a regjion jeton në paqe. Dhe Ballkani Perëndimor mbase do të ishte shembulli më i mirë: vitin e ardhshëm mbushen tridhjetë vjet të Marrëveshjes së armëpushimit të Daytonit dhe 25 vjet të Rezolutës 1244, që iu dha fund luftës në Kosovë, por kjo periudhë jo domosdoshmërisht quhet jetë në paqe.

Paqja, në definicionin e vet të prekshëm evropian, është gjendja e shoqërive të lira demokratike të cilat bashkëpunojnë mes vete – me katër liritë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve – në një hapësirë të përbashkët sigurie. Natyrisht, është edhe kulturë paqeje e pajtimi, është edhe ballafaqim me të kaluarën, është edhe shumë gjëra të tjera.

Por, mbi të gjitha, paqja është gjendje aktive për dallim prej gjendjes pasive – të mungesës së luftës – të asaj  që jetojmë në Ballkanin Perëndimor.

2.

Një intelektual liberal serb konstatoi në të njëjtën konferencë se në Ballkanin Perëndimor më nuk do të ketë luftë, dhe për të mbështetur këtë konstatim nxori, siç rëndom nxorën dhe në Athinë, argumentet me validitet se ekziston lodhja nga luftërat e shkatërrimet, se e tërë zona është me prani të NATO-s (tri shtete janë anëtare, Kosova e BH-ja janë nën mbrojtjen e NATO-s, e Serbia është tërësisht e rrethuar nga NATO-ja)  dhe se synimet e të gjitha shteteve të regjionit janë integrimi në BE.

Argumentet mund të gjejnë oponencë po aq valide. Për shembull, se në ambientin e mungesës së paqes janë rritur gjeneratat e reja të cilat nuk e kanë përjetuar luftën, por kanë kaluar ditë pas dite në narracionin toksik të luftës për aq sa të jenë të cilësueshëm si ushtarë të luftërave të reja. Apo se prania e NATO-s nuk ka eliminuar, por, përkundrazi, ka nxitur një kundërshtim të organizuar të Rusisë në shtetet e Ballkanit Perëndimor që me luftë hibride të përpiqet të dëshmohet paaftësia e NATO-s për të mbajtur paqen në këtë regjion. Dhe, në fund, mund të vihet bukur në pyetje se i tërë regjioni dëshiron anëtarësim në BE: Kosova dhe Shqipëria në mënyrë konsistente tregojnë në anketa se ky është opsioni i vetëm i shoqërive të tyre, vendet si Serbia apo BH-ja janë thellësisht të ndara në afinitetet strategjike mes Perëndimit dhe Euroazisë.

3.

Por, edhe po të ishte krejtësisht ashtu – që Ballkani Perëndimor nuk do të përjetojë luftë të armatosur – kjo nuk e heq konstatimin e Spinozës, që mungesa e luftimeve nuk do të thotë paqe. Dhe nuk u deshën as 48 orë nga konferenca në Athinë për të vërtetuar natyrën e pasigurisë dhe dimensionin e rrezikshmërisë që sjell jeta në mungesë paqeje. Në kanalin Ibër-Lepenc, i cili siguron një pjesë të madhe të ujit të pijshëm për një pjesë të madhe të Kosovës, si dhe furnizimin kritik të ujit për ftohjen e pajisjeve të gjenerimit të energjisë elektrike në termocentralet e Obiliqit, u vu një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, i cili bëri dëmin që kishte dimensionin e një sulmi terrorist strategjik  kundër Kosovës dhe përmbante njëkohësisht kërcënimin e madh potencial kundër vendit në rast se do të kishte në të ardhmen shpërthime të ngjashme me sasi më të madhe eksplozivi dhe përmasa më të mëdha shkatërrimi.

Shpërthimi në Zubin-Potok ishte në përmbajtje i ngjashëm me veprimet ushtarake të Rusisë kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës – të pajisjeve të energjisë apo të furnizimit me ujë – porse në vend të luftës frontale apo bombardimit nga ajri me raketa e dronë, në këtë rast u përdor eksplozivi i vendosur nga persona të aftë për këtë.
Dhe, këtu ndahen dy rrugë vlerësimesh. Njëri që u hetua në një pjesë të reagimeve, madje të shteteve fqinje – pa hyrë në motivet që mund të kenë qenë të kundërta – e quajtën këtë si “akt diversioni”, duke e zhytur këtë akt në formë të nënvetëdijshme në një operacion të rregullt gueril, paraushtarak apo ushtarak. Pra, diversionin e bëjnë njësitet diversante, të cilat operojnë tradicionalisht më thellë në prapavijë (duke prishur binarë treni, rrëzuar ura, e kështu me radhë). Por njësitet diversante këtë e bëjnë në luftë dhe e bëjnë rrjedhimisht të legjitimuara e të mbrojtura nga ligjet e luftës.
Zubin-Potoku nuk ishte zonë lufte dhe kushdo që ka vendosur eksplozivin nuk u përket njësiteve diversante, por një operacioni terrorist.

Këtu qëndron brenga plotësuese: shpërthimi i Zubin-Potokut është përshkallëzimi i parë terrorist i kësaj natyre (të sulmit kundër infrastrukturës kritike) që mund t’iu hapë rrugë aksioneve të tjera. Qeveritë që ia dhanë emrin “diversion” nuk e shohin mjaftueshëm potencialin shkatërrues që pati sulmi terrorist për të ardhmen. Gjegjësisht dhe ndonëse e gjykojnë veprimin, duke e vendosur në kategori “diversioni” e legjitimojnë si akt normal ushtarak.

Rruga e dytë vlerësuese është më e vështirë, madje më e vështirë edhe për t’u pranuar. E ajo është analogjia mes veprimeve të Rusisë në Ukrainë kundër infrastrukturës kritike (ndonëse me mjete luftarake) dhe aksionit terrorist në Zubin-Potok.

4.

Menjëherë pas shpërthimit filloi debati inicial i fajësisë, i cili u mbërthye me akuzimin e palëve të supozuara që qëndrojnë prapa këtij aksioni. Nuk do mend se është me rëndësi të dihet se kush ka urdhëruar një operacion të këtillë.

Por mendoj se më tepër sesa akuza (për të cilën me gjasë ende nuk ka fakte të pakontestueshme) janë të qarta dy gjëra.

E para, sektori i sigurisë në Serbi ende gjendet me borxh ndaj pyetjes së mëhershme, asaj të sulmit paraushtarak në Banjskë, të udhëhequr nga Radoiçiqi. Pra, sa ka ditur sektori i sigurisë (përfshirë edhe shërbimet e zbulimit civile e ushtarake) për këtë aksion? Nëse ka ditur çka ka ndërmarrë, nëse nuk ka ditur a është e mundur që në Serbi të bëhen organizime paraushtarake dhe terroriste në kundërshtim me ligjet e vendit? Dhe, meqë Serbia ka premtuar nëpërmjet presidentit të vet që të bashkëpunojë edhe për rastin Banjska e Zubin-Potok, a mund të bëhen të ditura informatat për njohuritë dhe përkrahjen apo jo nga sektori i sigurisë i Serbisë për të dyja sulmet kundër Kosovës.
Dhe dy, se çështja e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është domosdoshmërisht edhe(apo parësisht) çështje e sigurisë, madje jo vetëm regjionale. Siç tha një zyrtar i lartë i Greqisë në konferencë, vendi i tij e kishte menduar gjithnjë Evropën si një zonë unike të sigurisë. Dhe, siç qe e natyrshme të jepej përgjigjja, zona unike e sigurisë evropiane duhet të nënkuptojë zonën unike të sigurisë të Ballkanit Perëndimor./ KOHA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *