Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri sërish thirrje që të pranohet kërkesa për Vettingun në politikë. Gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend, Basha theksoi se lufta kundër pastrimit të parave duhet të nisë nga salla e Parlamentit.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së Lulzim Basha:
Korrupsioni duhet të shfaroset nga kjo sallë. Informacionet mund t’i verifikoni nëpërmjet dokumentave zyrtare, nga ato te SHISH, deri tek ato ndërkombëtare, që tregojnë sa serioz dhe alarmant është fenomeni i pastrimit të parave.
Për përballjen me këtë gangrenë të rëndë, ka një rrugë, ka një zgjidhje, një pikënisje. Pranoni për veten tuaj, pranoni për politikanët atë që kërkoni të bëni të detyrueshëm për noterët, që ju keni sjellë si propozim në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave. Vettingun.
Të ndalim pastrimin e parave dhe deformimet e panumërta që pandëshkueshmëria dhe korrupsioni dhe lidhjet me krimin kanë prodhuar në ekonomi dhe në shoqëri.
Çdo debat tjetër është një shtytje e panevojshme e një shfaqeje që shqiptarët e kanë vuajtur në kurriz për shumë gjatë, duke e lënë vendin në pozita të pamerituara në krahasim me shtete të tjera, por sidomos në raport me ku duhet të ishte për shkak të burimeve natyrore që i ka falur Shqipërisë Zoti dhe potencialin njerëzor që ka.
/Priza.al/