Abuzime të mëdha bëhen në tregjet formale dhe informale të Tiranës me produktet ushqimore si vezët dhe qumështi, të cilat nuk ruhen dhe as tregtohen në kushtet e duhura.
Si pasojë e mungesës së kontrollit në këto tregje, tregtarët i ekspozojnë këto produkte në rrezet e diellit dhe i magazinojnë në vende të papërshtatshme.
Kushtet në të cilat duhen ruajtur këto produkte është deri në 4 gradë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet praktikuar procesi i të ekspozuarit të tyre në diell, pastaj të futen në frigorifer dhe të nesërmen të tregtohen sërish.
Emisioni Fiks Fare nëpërmjet një vëzhgimi zbuloi se tregtarët nuk i zbatojnë këto kushte duke rrezikuar kështu jetën e konsumatorit.
Për më tepër ata pohojnë: “ I lëmë vezët edhe në magazinë “me plas” 1 muaj, 1 javë. I kam mbajtur edhe me arka për 15 ditë vezët në mes të dyqanit.
Qumështin nëse nuk shitet e fus në frigorifer dhe e nxjerr ditën tjetër. Tre ditë mund të më ketë shkuar kështu.
Në një prononcim për Fiks Fare Hasan Stafa, Drejtori i Ankesave në Shoqatën për Mbrojtjen e Konsumatorëve, deklaron se tregu i rrugës është një nga problemet më të mëdha të konsumatorëve për mënyrën sesi tregtohen produktet ushqimore si veza dhe qumështi. Kjo sepse është i pakontrolluar dhe institucionet nuk veprojnë. “Vetëm në muajin korrik të këtij viti, janë shënuar 16 raste të kontaminuara, që është një situatë alarmante për vetëm 5 ditë.
Kushtet e ruajtjes për vezët dhe qumështin janë deri në 4 gradë dhe kurrsesi nuk duhet të praktikohet procesi i të ekspozuarit njëherë në ambjent të hapur, ku tani arrijnë temperaturat deri në 40 gradë, pastaj të futen në frigorifer dhe më pas pas t’i ekspozosh sërish të nesermen në treg. U them qytetarëve të mos konsumojnë produkte të rrugës duke menduar se janë nayrale dhe bio, sepse në të vërtetë janë ‘bombë me sahat’” përfundon z. Stafa./TCH