Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla ka shkuar ditën e sotme në Hagë për të vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçim, Kadri Veselim, Jakup Krasniqim dhe Rexhep Selimin.
Balla është shoqëruar nga deputeti i PS-së, Arben Pëllumbi.
Ashtu dhe siç ishte paralajmëruar nga Balla më 27 nëntor, ata kanë shkuar për tu uruar nga afër ditën e Pavarësisë krerëve të UÇK-së.
Balla tha se ata po mbahen padrejtësisht në Hagë, teksa më tej propozoi që takimi i radhës mes Qeverive dhe Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë të mbahet më 10 qershor në Prizren në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit.
“Një grup i yni do të shkojë në Hagë për t’ua uruar festën e 28 Nëntorit. Ata po mbahen padrejtësisht në Hagë me akuza të pabaza. Ne jemi falënderues ndaj NATO-s. Duhet ta mbrojmë legjitimitetin e luftës së UÇK-së për çlirim. I kemi kërkuar Këshillit të Evropës për rezolutën për trafikim organesh”, u shpreh Balla.
Për çfarë po akuzohen Thaçi dhe ish krerë e UÇK-së?
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.