Disa video të publikuara nga Policia e Shtetit, dëshmojnë se aksi Lezhë-Mamurras është shndërruar në një pistë garash ditën e sotme ku disa të rinj kanë ndaluar trafikun e makinave për të lejuar kështu dy automjete të tjera sportive për të garuar përgjatë këtij aksi.
Për këtë ka reaguar Policia e Shtetit e cila ka arritur të identifikojë dhe të gjobisë drejtuesin e një prej makinave, i cili ishte dhe organizatori i garës. Policia ka sekuestruar automjetin në pronësi të shtetasit E.K. Ndaj tij ka nisur një procedim penal si dhe është gjobitur me një shumë prej 150.000 lekësh të rinj.
Njoftimi i policisë:
Penguan qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor, për të realizuar gara sportive, prishën rendin dhe qetësinë publike, organizuan grumbullime dhe më pas postuan video në rrjete sociale, shërbimet e Policisë identifikojnë dhe procedojnë penalisht dhe administrativisht njërin nga drejtuesit e mjeteve, i cili ishte organizatori i garës dhe shpallin alert mjetin tjetër.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe automjetin në pronësi të E. K., i cili e kishte dërguar atë në një servis, për ta çmontuar.
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqeshin drejtues mjetesh që kishin ndaluar mjetet e tyre, me qëllim për të realizuar gara sportive, në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek “Mbikalimi i Patokut”, duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera, duke prishur rendin e qetësinë publike dhe duke organizuar grumbullime të njerëzve, shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë, falë veprime të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e njërit prej drejtuesve të mjeteve.
Në vijim të veprimeve hetimore, filloi procedimi penal për shtetasin E. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime” dhe ” “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.
Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë i është vendosur masa administrative 150.000 lekë të rinj.
/Priza.al/