Derbi Tirana-Partizani vjen në momentin më të keq të skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja. Të kuqtë kanë bërë një nisje jo të mirë sezonit, teksa kanë regjistruar 4 barazime dhe një humbje. Distanca me kreun, që mbahet pikërisht nga rivali i përjetshëm është 7 pikë.
E thënë ndryshe, derbi është udhëkryqi i sezonit për Partizanin, ku edhe barazimi vlen shumë pak. Një pikë thjesht do të zgjaste krizën e rezultateve të një skuadre që është ndërtuar për titullin kampion. Ndërsa humbja do të vinte në dyshim të fortë të ardhmen e trajnerit Daja.
Por përpara sfidës së të hënës, Partizani duket se ka gjetur zgjidhjen ideale si një parapërgatitje morale e derbit. Tekniku Ilir Daja bashkë me stafin teknik ka rezervuar një pasdite argëtuese për ekipin. Lojtarët janë vënë përballë njëri-tjetrit jo si zakonisht në fushën stërvitore, por në një lojë “paintball”.
Drejtori sportiv Olsi Rama, ka publikuar një video ku nuk munguan batutat dhe ngacmimet.
Rikujtojmë se deri mesditën e së enjtes janë shitur afro 7 mijë bileta, dhe të mendosh që është vetëm fillimi, pasi deri të hënën ka ende shumë kohë për të rezervuar një biletë. Drejtuesit e Tiranës, si klub organizator, kanë filluar negociatat për të pasur “Air Albania” në dispozicion të plotë.
/Priza.al/