Detaje të reja janë mësuar në lidhje me shpërthimin e fuqishëm që ndodhi pak më parë në Universitetin privat “Epoka” në afërsi të Aeroportit të Rinasit në Tiranë.
Një student ka raportuar për “Priza.al” se, në këtë orë aty zhvillnin mësim studentët e masterit. Nuk dihet saktësisht se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin, pra nëse ka qenë eksploziv apo për shkak të gazit.
Lajmi i mirë është se në momentin e shpërthimit, i cili ka ndodhur në mensën dhe lokalin e Universitetit, nuk ka pasur studentë, pasi në këtë orar këto ambiente janë të mbyllura.
Nga fotot dhe videot e sjella në adresën e “Priza.al”, shikohen qartë dëmet materiale të shumta, si vetrata të thyera, xhama të thërrmuar, karrige dhe tavolina të përmbysura etj.
Po ashtu, dëgjohen edhe zërat e personave të sigurisë që thërrasin për njerëz në brendësi të ambienteve.
Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur policia dhe teknikët për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit. Njëri nga studentët rrëfeu për redaksinë tonë se janë trembur shumë gjatë momentit të shpërthimit, i cili në fakt ka zgjatur vetëm pak sekonda.
Policia ka sqaruar më pas se ka qenë një bombol gazi e cila pasi ka rrjedhur gaz ka marrë flakë duke dhënë edhe shpërthimin e fuqishëm.
Fatmirësisht, po sipas policisë, nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme materiale.
Tiranë/ Informacion paraprak
“Me datë 09.12.2021, rreth orës 20:35, në rrugën e “Rinasit”, ka ndodhur një shpërthim në një godinë të një subjekti privat, konkretisht në kuzhinën e mensës, ku ka vetëm dëme materiale.
Paraprakisht dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi si pasojë e rrjedhjes së gazit.
Vijon puna nga grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të shpërthimit”.
/Priza.al/