Ata me të drejtë janë mjaftë të irrituar për fatkeqësinë që u ka ndodhur dhe kanë gjithë arsyet dhe të drejtën legjitime që të kërkojnë edhe “dënim me vdekje” për vrasësin e djalit të tyre.
Por duke kërkuar “kokën” e Klodian Çalamanit (tashmë i arrestuar) me çdo mënyrë dhe formë revolte, të afërmit e Mateo Vasiut nga fshati Grecalli i Fierit, po bëhen dashur pa dashur objekt i shkeljes së ligjit dhe po rrezikojnë masa dënimi me burg.
Vetëm dy ditë më parë ata tentuan dhe thyen me forcë dyert e gjykatës së Fierit, duke tentuar të shkojnë në seancën gjyqësore kundër Çalamanit.
Por uniformat blu dhe autoritetet e toleruan sjelljen e tyre me justifikimin e tronditjes së thellë psikike si pasojë e fatkeqësisë që u kishte ndodhur.
Por sot revanshi i zemërimit dhe i inatit të familjarëve të Mateos së vogël, që u nda pafajësisht nga kjo jetë (mbase edhe për fajin e prindërve dhe të fqinjëve të pakujdesshëm), duket se i kaloi caqet.
Të inatosur, të zemëruar dhe të irrituar, familjarët e familjes Vasiu dhe bashkëfshatarë të tyre, protestuan fillimisht përpara paraburgimit të Vlorës, por pasi nisën me një protestë paqësore në dukje, ata më pas tentuan të hapnin dyert e jashtme të repartit të paraburgimit dhe u konfrontuan me rojat, si dhe hodhën në drejtim të objektit sende të forta.
Aty u kërkua ndërhyrja e uniformave blu për të qetësuar “gjakrat e ndezura”, por acarimi i tyre zbriti më pas në qytetin e Vlorës.
Pas disa minutash tensionesh ku kërkuan të hyjnë me forcë në dhomat e paraburgimit në Vlorë, familjarët janë zhvendosur në qendër të qytetit, ku kanë kërkuar mbështetës për dënim me vdekje të autorit që kreu krimin e rëndë.
Familjarët e Mateos, mbajtën të bllokuar rrugën e Skelës për një farë kohe duke u ulur në mes të asfaltit dhe duke bërë thirrje për drejtësi.
Në pamjet e siguruara nga mediat, shihet se si babai i 8-vjeçarit puth foton e viktimës, ndërsa të gjithë qajnë. Kjo protestë është mbështetur edhe nga shumë qytetarë të Vlorës, të cilët i janë bashkuar tubimit spontan të tyre.
Por nga ana tjetër bllokimi për një farë kohe i rrugës “Transballkanike” solli jo pak kaos në trafikun e rënduar të kësaj të diele në Vlorë, si dhe iritimin e dhjetëra shoferëve që mbetën të bllokuar në trafik dhe nisën që t’u bien borive të automjeteve.
Ndërkohë, policia e Vlorës u tregua tolerante edhe këtë herë, duke e lejuar që familjarët të vijojnë protestën e tyre. Kujtojmë se familja e vogëlushit po bën një peticion ku po mbledh firma që autori të dënohet me vdekje.
Megjithatë, protesta e dhunshme, tentativa për hyrje me forcë në institucione shtetërore, apo të rëndësisë së veçantë siç janë burgjet, por edhe bllokimi i rrugëve kryesore në qytet ose jashtë tij, përbëjnë një vepër penale të dënueshme me disa vite burg.
Për të dytin rast sot familjarët e Mateo Vasiut nga fshati Grecalli, i shpëtuan ndëshkimit nga ligji, edhe pse e shkelën atë. Inati, zemërata dhe dhimbja, gjithsesi nuk e justifikojnë shkeljen e ligjit, madje rrëndojnë pasojat e cilitdo shkelës apo kundërvajtësi, nëse ato kryhen të përsëritura.
Urojmë që ndonjë nga personat e fisit Vasia të mos ketë fatin e kriminelit tashmë të arrestuar Klodian Çalamani që po vuan dënimin në burgun e Vlorës.
/Priza.al/