Mund të duket si shaka por qyteti i Durrësit, i dyti më i madh në Shqipëri, po mbulohet ngadalë nga male me plehra që po zaptojnë rrugët dhe trotuaret e tij dhe gjithë qytetin me erën e keqe kundërmuese.
Qyteti që duhet të ishte mbushur me turistë këtë sezon, në fakt është katandisur si Napoli i Italisë në ditët më të zeza të tij, ku plehrat dergjeshin me ditë në rrugë dhe ishin me tonelata.
E pra kjo po ndodh në qytetin bregdetar, pikërisht për shkak të një skeme mafioze të hartuar me kujdes mes bashkisë së këtij qyteti dhe kompanisë që ka fituar të drejtën për të marrë dhe depozituar këto mbeturina.
Por ndër kohë që situata bëhet për ditë e më alarmante, duket se qytetarët që po vuajnë nga era e tyre po i japin “zgjidhje” situatës me zjarre.
Një rast i pa precedentë ka ndodhur në lagjen 18 të këtij qyteti ku bashkia ka hedhur mbetjet në kanalet e ujërave të zeza që përshkojnë rrugët “Gjelbërimi” dhe “Azem Hajdari”.
Banorët përballë kësaj situatë të rëndë kanë vendosur të djegin vetë mbeturinat, dukë shkaktuar ndotje edhe më të rëndë mjedisore.
Familjet e kësaj zonë prej vitesh kanë kërkuar mbylljen e kanaleve të ujërave të zeza, që janë kthyer në një bombë epidemiologjike në zonë.
Por e vetmja “përgjigje” që kanë marrë nga bashkia e Durrësit është jo më lënia hapur e kanaleve, por tashmë as mos grumbullimi i plehrave.
Nuk dihet nëse në qytetin e Durrësit do të shpërthejë ndonjë revoltë qytetare nisur nga kjo situatë, por më parë ka gjasë që aty të shpërthejë ndonjë epidemi që do fusë gjithë vendin në kolaps.
/Priza.al/