Duken si skenat e një filmi me aksion nga ata që realizon Hollywood-i, por në fakt sipas banorëve të Veriut të Kosovës “lufta ka nisur tashmë”.
Një ditë pasi ka aktivizuar helikopterët mbi hapësirën ajrore të Kosovës, Serbia sot bëri edhe provokimin e radhës, këtë herë me avion gjuajtës “MIG”.
Pamjet e videove që “Priza.al” ka siguruar nga bashkëpunëtorët e saj në Kosovë, tregojnë se si një çift avionësh gjuajtës janë futur thellë në hapësirën ajrore kosovare, afër Jarinjës.
Dy aeroplanë shihen duke fluturuar jo larg zonës ku janë të stacionuar forcat e njësisë speciale të Kosovës, “ROSU”.
Ndaj provokimeve të ngjashme para pak minutash ka reaguar edhe kryeministri Kurti.
“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”,- ka thënë ndër të tjera Kurti në reagim.
Dy avionë të ushtrisë serbe patrulluan pranë zonës kufitare të Jarinjës, në Veri të Kosovës, duke fluturuar ulët. Kalimi i dy avionëve ngjalli entuziazëm mes disa protestuesve serbë të vendosur pranë pikës kufitare, të cilët nisën të brohorasin “Serbia! Serbia”.
Ndërkohë po këtë mëngjes dhe dje, ushtria Serbe patrulloi kufirin dhe hyri edhe në territorin e Kosovës nga ajri edhe me helikopterë sulmi “Mi-35”, që u panë gjithashtu të fluturonin në hapësirën ajrore pranë Jarinjës.
Situata në Kosovë është tensionuar pas vendimit të Kryeministrit Albin Kurti, për të vendosur detyrimin për targa të përkohshme për serbët, që udhëtojnë me makina në Kosovë. E njëjta politikë aplikohet edhe nga Serbia.
/Priza.al/