Në tetor të vitit 2022, kryeministri dekoroi biznesmenin nga Vlora, Geront Çela, pronar i Brunes.
Më herët, Edi Rama i kishte dhënë Geront Çelës 57 mijë m2 tokë shtetërore falas për kulla buzë detit në Vlorë si dhe koncensionin për ndërtimin e një porti turistik në Vlorë (dhënia me koncesion/partneritet publik privat për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e një porti turistik në qytetin e Vlorës, Marina Vlorë).
Dy vjet pas dekorimit dhe tre vjet pas përfitimit të pasurisë publike, Geront Çela i ka bërë këtë ‘dhuratë’ Edi Ramës dhe shqiptarëve, duke i bërë naftën detit të Vlorës, turizimit dhe Vlorës
Bëhet fjalë për një krim të rëndë mjedisor, me pasoja të frikshme. Llumërat që prodhon kantneri i ndërtimit të Geront Çelës, siç edhe konfirmohet nga këto foto, derdhen sistematikisht në det.
Ky është një kontribut i Geront Çelës për Vlorën që nuk duhet harruar në ceremonitë e ardhshme të vlerësimit si ikonë e plackitjes, klientelizmit dhe krimeve mjedisore.
Kjo video dhe afera me portin e vlorës janë një tjetër provë për pafuqinë e SPAK për të ndëshkuar krimet mjedisore dhe plaçkitjet nga karteli i oligarkisë dhe politikës.
Afera me portin e Vlorës (ivestigim i BIRN)
Në nëntor 2018, kryeministri Edi Rama inspektoi punimet e një investimi prej 15 milionë eurosh në portin e Vlorës – i dyti port më i madh i Shqipërisë. Investimi u financua me kredi të butë nga qeveria italiane dhe synonte rritjen e kapacitetit përpunues të trageteve si dhe zgjerimin e terminalit të pasagjerëve.
“Këtu duhet të kemi një plan shumë shpejt, se na lidhet Lungomarja me bulevardin,” tha Rama, duke sugjeruar integrimin e portit me jetën e qytetit. “Kjo është pikë fokale tani, është pikë qendrore,” shtoi ai.
Një projekt i ri nuk vonoi të shfaqej.
Porti i Vlorës ka qenë pjesë e pandashme e qytetit dhe të paktën prej shekullit XVIII konsiderohej si limani i dytë më i rëndësishëm i Shqipërisë së jugut. Por historia ndryshoi papritur në vitin 2020, kur u vendos që të shpërngulej në zonën e Triportit, rreth 5 kilometra në veri të Gjirit të Vlorës.
Ndërsa në mars të vitit 2021, qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi që ta jepte portin ekzistues me koncesion dhe sipërfaqen e truallit prej 57 mijë metrash katrorë me qira simbolike prej 1 Euro për ndërtimin e një marine turistike dhe një kompeksi luksoz rezidencial të quajtur “Vlora Marina”.
Qeveria e bazoi vendimarrjen e saj në ligjin kontrovers për “Investimet Strategjike” dhe një vendim të vitit 2014 të Këshillit të Ministrave për dhënien e pasurive shtetërore me qira ose enfiteozë – e njohur ndryshe si nisma “Shqipëria 1 Euro”.
Projekti “Vlora Marina” është një sipërmarrje që zotërohet në 90% të aksioneve nga Geront Çela.
“Marina Residences Vlorë” synon që të ndërtojë rreth 663 apartamente dhe dy hotele mbi një truallin shtetëror prej 57 mijë metrash katrorë dhe planifikon të arkëtojë dhjetramilionë euro nga shitja e apartamenteve në dhjetë vitet e ardhshme.
Ekspertët e ekonomisë e kritikojnë këtë model sipërmarrjeje, pasi nuk shohin përfitime për buxhetin e shtetit.
“Shqipëria 1 euro u ndërtua që njerëzit të ndërmerrnin sipërmarrje, të ndërtonin industri biznesi dhe të zhvillonin aktivitet ekonomik dhe jo të ndërtonin pallate, siç është rasti në fjalë,” tha Azmi Stringa, ekspert i financave dhe pedagog në Universitetin e New Yorkut në Tiranë.
“Në këtë pikë, shteti duhet të bënte analizën e tij, si ndikimin ekonomik dhe social, ashtu edhe në përfitimet që do të kishte buxheti i shtetit,” shtoi ai.
Sipas kontratës së qirasë me Ministrinë e Financave, kompania “Marina Residences Vlorë” e ka marrë truallin në gëzim të përkohshëm për një periudhë 20-vjeçare për të ndërtuar kompleksin rezidencial dhe hotelet me 4 dhe 5 yje. Prej fillimit të sezonit turistik, ajo ka nisur të shesë apartamente në ajër me çmim mesatar prej 3050 Euro/m2, në rrethana të paqarta pronësie.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk iu përgjigj pyetjes direkte nëse kishte autorizuar shitjen e apartamenteve që pritet të ndërtohen mbi truallin shtetëror, por sqaroi se shteti shqiptar vazhdonte të ishte pronar i truallit.
“Ky organ [Këshilli i Ministrave] nuk ka miratuar tjetërsim të drejte pronësie, nuk ka transferim pronësie, nuk ka privatizim, por ka dhënie në përdorim me afat të përcaktuar,” tha Ministria.
Kompania “Marina Residences Vlorë” i tha BIRN se është autorizuar të ndërtojë dhe të komercializojë njësitë e shitshme nëpërmjet VKM 599/2021 dhe kontratës së qirasë me Ministrinë e Financave, si dhe planit të saj të biznesit të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Kompania deklaroi gjithashtu se kishte në plan që ta blinte truallin pas kryerjes së investimit.
“Si fillim do të realizohet investimi në zbatim të VKM 599/2021 dhe Kontratës së Qirasë, me tej do të kërkohet blerja e truallit sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 54, datë 05.02.2014, i ndryshuar dhe, nëse ky kusht përmbushet, do të kryhet shitja pasi të jetë kryer certifikimi dhe regjistrimi në ASHK i objekteve civile,” tha “Marina Rezidences Vlorë” në një përgjigje me shkrim për BIRN.