Policia e Vlorës ka arrestuar mbrëmjen e kaluar 3 pronarë lokalesh pasi ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Policia e cila ka vijuar kontrollet deri në orët e para të mëngjesit, raporton se janë bllokuar disa pika bastesh të paligjshme.
Sipas njoftimit të Policisë, nën hetim janë vendosur edhe 3 persona të tjerë si dhe janë sekuestruar dy laptop, një printer, një Ipad, tre dekodera, katër aparatë telefoni celular.
Është arrestuar Aldo Malajt 25 vjeç pasi në lagjen “Pavarësia”, në ambjentet e lokalit të tij “BAR-KAFE”, dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Gjatë kontrollit janë konstatuar disa paisje elektronike, si një kompjuter laptop, një printer, një Ipad të cilat dyshohen se përdoreshin për lojëra të palejuara dhe baste sportive, duke përfituar vlera monetare të pa deklaruar në organet tatimore.
Në pranga edhe Xhulio Ferati, të cilit gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit të tij në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, i janë konstatuar tre dekodera, një kompjuter laptop dhe një aparatë telefoni celular, të cilat dyshohen se përdoreshin për lojëra të palejuara dhe baste sportive. Për rastin në fjalë është proceduar penalisht edhe shtetasin P.C, 62 vjeç, pasi ishte duke vendosur baste sportive.
I prangosur edhe Denis Biraci 29 vjeç banues në Vlorë, të cilit në ambientet e lokalit të tij në lagjen “24 Maj”, Vlorë, dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të lokalit u gjetën e sekuestruan tre aparate telefona celular të cilat dyshohen se përdoreshin për vendosjen e basteve sportive.
/Priza.al/