VIDEO/‘Ishte me porosi’, dalin pamjet e vrasësve të gazetarit grek

Pamjet nga kamerat e sigurisë pranë shtëpisë së gazetarit Giorgos Karaivaz, kanë kapur momentin kur autorët me motor dhe të maskuar largohen me shpejtësi pas vrasjes. 52-vjeçari njihej si një reporter me përvojë për kronikat e zeza. Ai punonte prej vitesh për gazeta të njohura dhe media të tjera, dhe prej disa vitesh kishte krijuar edhe një blog të tijin bloko.gr. Ai njihej si një gazetar investigativ miqësor, i qetë dhe me reputacion.

Një dëshmitar i cili gjendej rastësisht përballë vrasësve të gazetarit, i tha policisë se i pa autorët në momentin që ekzekutuan Giorgos Karaivaz. “Unë isha para dhe pashë vrasësin që qëlloi në drejtim të Giorgos. Unë isha vetëm 5 metra larg”, tha dëshmitari okular. Ai ka përshkruar edhe ekzekutorin, ç’ka mund të ndihmojë autoritetet për të shkuar në gjurmët e tij. “Ishte i gjatë, rreth 1.80 me kapele dhe syze dielli, kishte veshur një xhaketë të gjelbër. Unë dhe fëmijët njoftuam policinë”, tha ai.

Një hetues u shpreh për mediat greke se ekzekutorët me pagesë, mund të mos kenë ditur as kush ishte njeriu që ata vranë. Mundet që ata të kenë marrë paratë, erdhën në Greqi, vranë gazetarin dhe u larguan nga vendi të njëjtën ditë.

Gjatë muajve të fundit, Karaivaz kishte raportuar shpesh për biznese të pista të nëpunësve të korruptuar me botën e krimit, prandaj presioni publik për zbardhjen e shpejtë të vrasjes është shumë i madh.

“Kush mendon, se do të bëjë kështu që gazetarët të heshtin gabon”, u shpreh Maria Antoniadu, presidentja e Shoqatës së Gazetarëve, ESIEA në Athinë në një deklarim për mediat. Vetëm në këtë shoqatë janë 6.099 gazetarë që janë organizuar dhe do të “vazhdojnë të bëjnë hulumtime. Askush nuk do të ndalë punën e gazetarëve në Greqi”, theksoi Maria Antoniadu.

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *