Kot nuk thonë se gjuha e huaj është një pasaportë drejt suksesit. Vlera e gjuhës angleze sot në botë nuk mund të nënvlerësohet. Prania e saj është e paevitueshme, e për këtë arsye të gjithëve, dikujt më shumë e dikujt më pak, na është dashur ta përvetësojmë atë në njëfarë niveli.
Mirëpo, për disa këngëtare shqiptare, anglishtja nuk ka dhe ndonjë rëndësi kushedi se çfarë. Edhe pse ato kujdesen me detaje për paraqitjen e tyre, e mundohen të kurohen deri në detaje, duket se nuk janë shqetësuar shumë rreth asaj se çfarë do të flasin e do të nxjerrin nga goja.
Duke qenë se jemi në prag të ‘Eurovision’-it, na ra në sy një fenomen i përsëritur i përfaqësueseve të Shqipërisë në këtë festival: Marrëdhënia e tyre aspak e mirë me anglishten. “Priza.al” do ju përcjellë disa video, të cilat janë bërë virale, ku tregojnë anglishten në nivelin fillestar të tyre.
Në një kohë që Radio Televizioni Shqiptar bën përpjekje që të kemi një përfaqësim sa më të denjë, duket se i ka shpëtuar një detaj i rëndësishëm. Në vitin 2016, Shqipëria u prezantua në Eurovision nga këngëtarja Eneda Tarifa, me këngën ‘Fairytale’. Eneda shfaqi një performancë të shkëlqyer, mirëpo vëmëndjen e performancës çuditërisht e zbehu intervista e saj në Eurovision.
Intervista u bë virale sa ‘hap e mbyll sytë’, dhe për një kohë të gjatë u komentua nga të gjithë. Eneda i kishte idetë e qarta, por nuk ishte shumë e qartë si ti shprehte ato. Në një moment gjatë intervistës ajo shihet teksa thotë: “O Dhurata, Dhurata më ndihmo si quhet fjala”.
Nëse menduat se çuditë mbarojnë me kaq, gaboheni. Pas ‘zhurmës’ që la pas Eneda, tre vite më vonë vëmendja u spostua te përfaqësuesja jonë në Eurovision, Jonida Maliqi. Jonida njihet si ikonë e modës në vendin tonë. E si e tillë, ajo u kujdes që të paraqitej si duhej në Eurovision, pasi ishte një event shumë i rëndësishëm në jetën e saj.
Në udhëtimin në Tel Aviv, ku zhvillohej Eurovisioni, ajo mori me vete 30 fustane, 21 palë këpucë, 6 çanta, e pas disa ditësh i kërkoi stafit të saj ti sillnin të tjera rroba. Mesa duket ajo ka qenë shumë e angazhuar duke menduar çfarë do të vishte, duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur intervistës që dha.
Duke qenë se tashmë është kthyer në traditë ‘marrëdhënia jo fort e mirë’ e këngëtareve tona me anglishten, nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe me përfaqësuesen më të fundit, Anxhela Peristerin. Së fundmi, artistja ka dhënë një intervistë për mediat e huaja, në gjuhën angleze.
Përgjatë intervistës për “WiWibloggs”, këngëtarja po shpjegonte kuptimin e videoklipit dhe këngës së saj “Karma”. Mirëpo një moment, ajo nuk ka arritur që të gjejë fjalën e duhur në gjuhën angleze, dhe këtë fjalë e ka shpjeguar në një mënyrë më të gjerë.
Pavarësisht të gjitha peripecive, e rëndësishme është që këngëtaret tona dinë ta bëjnë mirë atë për të cilën janë zgjedhur në Eurovision, të kënduarin.
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016