VIDEO/ Koncensionari i Sharrës, sa para publike shpenzoi kompania e Klodian Zotos për të bërë reklama

Kompania e Klodian Zotos ka paguar 300 milionë lekë të vjetra nga paratë publike, për të bërë spote publicitare për koncesionin e Sharrës. Materialet propaganduese janë bërë në televizionet pranë qeverisë për të shuar dyshimet e ngritura nga opozita për aferat korruptive të inceneratorëve.

Kompania “Integrated Energy BV”, e cila zotëron kontratën koncensionare të landfillit të Sharrës, ka shpenzuar 300 milionë lekë të vjetra për reklama mediatike, megjithëse ajo nuk ka nevojë për publicitet, duke qenë se ka ekskluzivitetin 30-vjeçar për përpunimin e mbetjeve në Tiranë.

Në bilancin tregtar, të dorëzuar së fundi pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania e regjistruar në vitin 2016 me administrator të parë Klodian Zoton, ka renditur katër zëra për shpenzimet propaganduese. Shoqëria private ka shpenzuar nga 20 milionë lekë të vjetra për median e shkruar dhe televizive. Ndërkohë, janë shpenzuar 61 milionë lekë të vjetra për materiale publicitare dhe plot 200 milionë lekë të vjetra për spote publicitare. Me një total prej 300 milionë lekësh, shoqëria ‘IEBV” ka shpenzuar gjatë vitit 2020 rreth 3 herë më shumë se sa një vit më parë.

Nga një vëzhgim në median e shkruar dhe vizive, reklamat e kompanisë koncensionare gjenden kryesisht në media pranë qeverisë, të cilat janë shfaqur në mbështetje të saj, pas dyshimeve për “aferë financiare qeveritare”, të ngritur nga opozita dhe aktorë të tjerë të jetës sociale e ekonomike në Shqipëri.

Në tetor 2020, në një kohë kur opozita ndërmori një fushatë kundër zyrtarëve të lartë qeveritarë, përfshirë edhe kallëzime penale pranë SPAK-ut për atë që e konsideroi si “afera e inceneratorëve”, një seri emisionesh pro-kompanisë koncensionare u shfaqën kryesisht në televizionet Top Channel dhe “Report TV”.  Të dhëna mediatike treguan se drejtuesit e Top Channel janë në marrëdhënie biznesi me themeluesit e kompanive të landfillëve privatë në Shqipëri.

Kompania “Integrated Energy BV” është themeluar në vitin 2016 dhe është “për qëllime të veçanta”, më konkretisht për zbatimin e kontratës koncensionare të landfillit dhe inceneratorit të Sharrës në Tiranë. I gjithë aktiviteti i saj ekonomik mbështetet në paratë publike, të dhëna nga Bashkia e Tiranës për përpunimin e mbetjeve të qytetit.

Sipas kontratës koncensionare, “Integrated Energy” duhet të ndërtonte landfillin dhe inceneratorin me shpenzimet e veta dhe ajo do të paguhej periodikisht për 30 vjet nga Bashkia e Tiranës, nëpërmjet pagesave që do të mbulonin investimin dhe fitimin e kompanisë. Por, vëzhgimet në terren ngritën dyshimet se kompania private nuk ka investuar para të saj, siç ishte parashikuar në kontratë.

Pasi fitoi të drejtën koncensionare, shoqëria “Integrated Energy BV” e vendosi atë si kolateral për të siguruar një kredi të majme tregtare. Me paratë e kësaj kredie, shoqëria nisi të ndërtojë dalë ngadalë landfillin, ndërkohë që nisi të paguhej edhe nga Bashkia e Tiranës për depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane.

Këto pagesa e ndihmuan që të vijonte punimet për vend-depozitimin e mbetjeve, duke përdorur paratë publike dhe jo nga portofoli i saj, siç e ka akuzuar publikisht opozita.

Rreth 5 vjet pas nënshkrimit të kontratës koncensionare, kompania “Integrated Energy BV” ende nuk e ka ndërtuar inceneratorin e djegies së mbetjeve, ndërkohë që ka arkëtuar deri më tani mbi 30 milionë euro nga taksat publike.

Por, në mungesë të investimit për inceneratorin, shoqëria private ka shumëfishuar shpenzimet për reklama mediatike, të cilat përdoren për të shmangur sa të mundet reagimin publik dhe politik për shpenzimet publike të ekzagjeruara dhe jo-efektive.

/Marrë nga SYRI TV/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *