Ashtu siç kishte paralajmëruar më parë, Policia e Shtetit ka nisur konferencës për shtyp në ambientet e DVP Tiranë.
Policia njofton një megaoperacion në Tiranë, ku për pasojë janë arrestuar disa persona për Kokainë, Heroinë dhe Kanabis.
Në kuadër të operacioneve “Çokollata” janë sekuestruar 160 paketime lëndë narkotike në formë çokollate dhe për rastin ën pranga janë vënë babë e birë Sami dhe Kevin Qorjda dhe djali i tij 19-vjeçar.
Ndërsa me finalizimin e operacionit anti-drogë “Tujani”, u sekuestruan 312 gramë heroinë.
NJOFTIMI
Tiranë
Në përmbushje të një prej prioriteteve të Policisë së Shtetit, atë të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, gjatë mesditës së sotme, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u organizuan dhe u finalizuan me sukses dy operacione policore antidrogë, të koduara “Çokollata” dhe “Tujani”.
Në kuadër të këtyre operacioneve u sekuestruan heroinë e kanabis e përpunuar në çokollate, si dhe armë gjahu pa leje, më konkrektisht:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një hetimi disaditor me metoda speciale të hetimit, të kryer nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, mesditën e sotme, finalizoi operacionin policor të koduar “Çokollata”.
Në rrugën “Rexhep Tarja”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën në pronësi të shtetasit S. Q. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 160 paketime me lëndë të dyshuar narkotike, të përpunuar në formën e çokollatës, me peshë totale 48.5 kilogramë.
Në vijim të kontrollit është gjetur dhe një armë gjahu pa leje, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet në përdorim të këtij shtetasi dhe dy aparate celulare. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. Q., 43 vjeç dhe i djalit të tij K. Q., 19 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Menjëherë pas operacionit të koduar “Çokollata”, bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi disaditor, është organizuar dhe finalizuar operacioni i dytë antidrogë, i koduar “Tujani”.
Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Tujanit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R. Q., 31 vjeç, ku gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 gramë lëndë të dyshuar narkotike të dyshuar heroinë, një armë gjahu, peshore elektronike dhe një aparat celular.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se babë e bir ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, duke e përpunuar lëndën narkotike kanabis në formë çokollate, të cilën më pas e shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.
Po nga hetimet ka rezultuar se shtetasi R. Q. merrej me shitjen e lëndës narkotike heroinë, në doza, të cilat i shiste në zonën e Tufinës, në Babrru dhe në rrugën “Myslym Keta”. Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, pasi siguronte lëndë narkotike heroinë, në sasi 1-2 kg, e ndante në doza dhe më pas e shiste.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e vendosur për të parandaluar dhe luftuar krimin dhe çdo paligjshmëri, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet, si dhe për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit. Në këtë kuadër fton qyetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë dhe të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.