Dy persona kanë pësuar djegie në trup mëngjesin e sotëm, të bllokuar brenda një makine që ka marrë flakë në aksin Korçë-Pogradec, në afërsi të Maliqit.
Brenda në makinën që sapo e kishin furnizuar me gaz, kanë qenë 2 persona që nuk kanë arritur të dalin në kohë nga automjeti tip “Volkswagen Pasat” dhe njëri ishte shoferi i mjetit me targë “AA731CL”, kurse tjetri pasagjeri.
Makina e përfshirë nga flakët ndërkohë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anën e një kanali kullimi pranë rrugës.
Kanë qenë zjarrfikësit e Maliqit që i kanë shuar flakët dhe kanë ndihmuar të plagosurit. Nuk dihet ende gjendja e tyre si paraqitet.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet hetimore mbi ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
“Maliq/Informacion paraprak
Më datë 01.09.2021, rreth orës 07:20, në fshatin Vloçisht, Maliq, ka rënë zjarr në një automjet në ecje, i cili sapo ishte furnizuar me lëndë djegëse (gas) në një karburant në afërsi të këtij fshati.
Për pasojë kanë pësuar djegie, drejtuesi dhe pasagjeri të cilët u dërguan për mjekim në Spitalin e Korçës.
Shërbimet e zjarrfikëses, kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”.
/Priza.al/