Shqiptarët e kanë parë Spanjën si një “tokë të begatë”, ndaj dhe i janë futur punës për ngritjen e dhjetëra plantacioneve me kanabis-sativa në të katër anët e saj.
Por me një ndryshim të vetëm nga Shqipëria, aty policia spanjolle nuk bën sikur, por godet realisht sapo sinjalizohet “fermerët e devotshëm”.
Policia ka publikuar së fundi pamjet e aksionit anti-drogë, prej nga ku u arrestuan 33 persona, shumica e tyre shqiptarë, pasi akuzohen për kultivim në sasi të mëdha të kanabisit.
Operacioni i policisë spanjolle u kodua “Albacos” dhe ka arritur të çmontojë një rrjet kompleks kriminal, të dedikuar për kultivimin, prodhimin dhe shpërndarjen, e marijuanës, në nivel ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të policisë spanjolle, 33 persona (11 në Segovia, 11 në Andaluzi, 5 në Castilla-La Mancha, 4 në Aragon dhe 2 në Madrid), janë arrestuar si autorë të dyshuar ndërsa 21 prej tyre u dërguan në burg.
Ata që merrnin vendimet dhe shpërndanin ‘mallin’ ishin shqiptarë, më poshtë vinin kolumbianët, italianët si dhe gjermanët. Të vetmet tri gra të ndaluara ishin të angazhuara në funksionet e ndërtimit të infrastrukturës, të tilla si shtëpi me qira ose automjete.
Ndërkohë mediat spanjolle kanë publikuar momentet e arrestimit të shqiptarëve.
/Burimi: eladelantado.com/Përshtati: Priza.al/