Dalin pamjet e para nga sherri për një tavolinë e cila përfundoi në vrasjen e kryekamarierit Gazment Kurmaku në Elbasan. Në videon e mëposhtme të siguruar nga “ABC”, tregohet qartë gjithë dinamika e nisjes së debatit mes kryekamarierit dhe klientit 33-vjeçar Erjon Llapushi, që i mori jetën duke e qëlluar më grushta dhe me shkelma. E gjitha ka ndodhur në vetëm 1 minutë e 11 sekonda kohë.
Në videon e siguruar nga ABC, shfaqen dy persona të ulur në një tavolinë prej 4 personash. Përballë kameras është Erjon Llapushi, i cili shoqërohet nga shoku i tij. Sapo ulen, të dyve u shkon pranë tavolinës kryekamarieri, Gazment Kurmaku dhe u kërkon që të lëvizin duke u shpjeguar se ishte e rezervuar. Por kjo gjë duket se nuk i ka pëlqyer 33-vjeçarit, i cili çohet, i vendos dorën në qafë dhe qartësisht e kërcënon se nuk do të lëvizë. Po ashtu merr nga tavolina thikën dhe ulet sërish duke i bërë me dije se nuk do të lëvizë.
Në këtë moment, kryekamarieri Gazment Kurmaku largohet, por duket se debati ka vijuar me ofendime në distancë. Pasi Llapushi çohet nga tavolina, e qëllon atë me grusht në kokë. Goditje që për të ka qenë fatale. 50-vjeçari ra duke përplasur kokën me një pjesë betoni, e cila i shkaktoi vdekje klinike.
Fillimisht Kurmakut iu dha ndihma e parë në Spitalin e Elbasanit. Më pas u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë. Për 5 ditë ai qëndroi në vdekje klinike dhe më datë 7 ndërroi jetë. Ndërkohë që Erjon Llapushi ende nuk është kapur, ndërsa në kërkim është shpallur edhe shoku i tij, me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit. Llapushi është emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i dënuar rregullisht që nga viti 2007, ndërsa për mikun e tij nuk ka ende asnjë informacion.
/Priza.al/