Pamjet apokaliptike të zjarreve që përpijnë malet prej 10 ditësh kanë krijuar një situatë katastrofike në qarkun e Vlorës si gjatë natës edhe gjatë ditës. Flakët e zjarrit shfaqen kokëforta teksa nuk ‘dorëzojnë’ pyjet dhe kullotat, ndërsa vatra të reja shfaqen herë pas herë duke e rënduar situatën.
Të vetmit përballë kësaj situate në të gjithë qarkun, janë vetëm 30 zjarrëfikës të Vlorës, 8 të zonave të mbrojtura dhe ushtarë e Poshnjës. Për shkak të terrenit të thyer dhe malor marrja nën kontroll e zjarrit bëhet mision i pamundur përkundrejt edhe mjeteve që disponojë zjarrfikësit teksa shfaqen në këto pamje vetëm me lopata dhe shkurre për të shuar flakët gjigante.
Teksa Ministria e Mbrojtjes, disponon 4 helikopterë për situatat e zjarreve dhe emergjencave prej tyre, dy helikopterë Cougar e dy E16, asnjë prej tyre nuk është ngritur për t’i ardhur në ndihmë punonjësve në male që përballë zjarrit kanë vetëm shkurre dhe degë pemësh.
Por duket se situata e krijuar i ka gjetur të pa përgatitur institucionet, kur vetë Prefekti i Vlorës Flamur Mamaj deklaron prej disa ditësh se helikopterët janë në remont dhe jashtë funksioni.
‘Ne kapacitete e shuarjes së zjarrit nga ajri i kemi shumë të kufizuara, kjo dhe për shkak të zjarrit të njëkohësishëm që ka rënë në gjithë territorin e Republikës. Shuarja e zjarrit ka zgjatur rreth 10 ditë në malin e Tomorit dhe të gjitha kapacitete të aviacionit janë në remont dhe kjo situatë na ndodhi ne për keq.’-tha Mamaj.
Ndërkohë, Lorela Lazaj drejtoreshë e Zonave të Mbrojtura ka folur në lidhje me situatën dhe vështirësitë që paraqiten në këtë mal dhe që kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri. Lazaj tha se situata është shumë kritike dhe se deri tani janë djegur pothuajse 500 ha sipërfaqe. Mjafton të shohim këto pamje për të kuptuar sesa i madh është dëmi dhe sa i madh kanosja nga flakët e zjarrit.
Për pasojë, po digjen hektarë të tërë me bimësi e pyje, ndërsa po rrezikohet edhe Parku Kombëtar i Llogarasë. Punonjësit e zonave të mbrojtura po luftojnë me flakët, në kushte të vështira dhe me mjete rrethanore, por flakët nuk janë vënë ende nën kontroll të favorizuara edhe nga era.
Një vatër e re është aktivizuar edhe në Ksamil, duke rrezikuar edhe banesat e qytetarëve.
Ndërkaq, prej 2 ditësh vazhdon të jetë aktiv zjarri në Përmet, ku janë djegur rreth 5 hektarë tokë. Nga zjarri janë djegur 3 hektarë kullota dhe 2 hektarë pyje.
Ndërkohë që në vendngjarje për shkak të terrenit të vështirë zjarrfikëset nuk kanë mundur të shkojë, duke bërë që vetë banorët me mjete rrethanore të mundohet të shuajnë flakët.
/Priza.al/